Eksportet e mallrave arritën vlerën 300 miliardë lekë, duke u rritur me 35,2 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 632 miliardë lekë, duke u rritur me 29,5 %, krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit të tregtisë së jashtme të publikuar sot nga INSTAT, deficiti tregtar arriti vlerën 333 miliardë lekë, duke u rritur me 24,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë materiale ndërtimi dhe metale me 14,3 %, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me 11,2 % dhe tekstilet dhe këpucët me 3 %.
Gjatë këtij dhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia (23,1 %), Kosova (48,2 %) dhe Spanja (45,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Ukraina (20,2 %) dhe Rusia (31,9 %).
Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë Italia (28,4 %), Turqia (45,4 %) dhe Kina (23,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Rusia (2,4 %), Zvicra (7,6 %) dhe Ukraina (19,2 %).