Të dhënat e publikuara nga Instat treguan se tregtia e jashtme shënoi rënie në dhjetor të vitit 2024, ndërkohë që i gjithë viti ishte një tjetër vit negativ për eksportet, i dyti rradhazi pas atij 2023. Ndikim të ndjeshëm ka patur zhvlerësimi i Euros, por edhe rënie e kërkesës nga vendet e BE, si partneri kryesor tregtar i Shqipërisë.
Sipas publikimit, eksportet e mallrave arritën vlerën 26 mld lekë, duke u ulur me -31,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me -14,8 %, në krahasim me Nëntor 2024.
Importet e mallrave arritën vlerën 79 mld lekë, duke u rritur me 8,3 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 7,9 %, në krahasim me Nëntor 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 53 mld lekë, duke u rritur me 51,1 %, krahasuar me Dhjetor 2023 dhe duke u rritur me 23,8 %, në krahasim me Nëntor 2024.
Gjatë vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 373 mld lekë, duke u ulur me -15,4 %, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 894 mld lekë, duke u rritur me 2,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 522 mld lekë, duke u rritur me 20,7 %, krahasuar me vitin 2023.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Gjatë muajit Dhjetor 2024, në uljen e eksporteve prej -31,7 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -18,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -6,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 0,3 pikë përqindje.

Eksportet, gjatë këtij viti janë ulur me -15,4 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,1 pikë përqindje.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Gjatë muajit Dhjetor 2024, në rritjen e importeve prej 8,3 %, krahasuar me Dhjetor 2023, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +5,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,5 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,4 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet:
“Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,2 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre“ me -0,03 pikë përqindje.
Gjatë vitit 2024, importet janë rritur me 2,5 %, krahasuar me vitin 2023. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,9 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +1,2 pikë përqindje, etj. Ndërsa kanë ndikuar negativisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,9 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,3 pikë përqindje.
