Eksportet kanë vijuar të qëndrojnë në territor pozitiv edhe në gusht 2026, por me një ritëm dukshëm më të ngadaltë se në muajt e mëparshëm. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se shitjet e mallrave shqiptare jashtë vendit arritën në 20.5 miliardë lekë, duke u rritur me 1.6% krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Në raport me korrikun 2026, eksportet shënuan një rënie të fortë prej 39%, duke reflektuar edhe nivelin tradicionalisht më të ulët të aktivitetit gjatë muajit gusht.
Pavarësisht ngadalësimit të gushtit, ecuria e eksporteve gjatë vitit 2026 paraqitet më pozitive krahasuar me një vit më parë. Pas rënies me 4.5% në janar, eksportet u rritën me 2.8% në shkurt, 4.1% në mars dhe përshpejtuan ndjeshëm në prill, kur rritja vjetore arriti në 16.9%. Në maj rritja ishte 2.9%, në qershor 13.6% dhe në korrik 10.6%, përpara se ritmi të zbriste në vetëm 1.6% në gusht.
Në vlerë, eksportet arritën rreth 27 miliardë lekë në janar, 31 miliardë në shkurt, 33 miliardë në mars, 35 miliardë në prill, 33 miliardë në maj, 35 miliardë në qershor, 34 miliardë në korrik dhe 20.5 miliardë lekë në gusht. Kjo e çon vlerën e eksporteve për tetë muajt e parë të vitit në rreth 249 miliardë lekë, sipas përllogaritjes mbi të dhënat mujore të INSTAT.
Por pas rritjes së përgjithshme prej 1.6% në gusht fshihen zhvillime të kundërta mes sektorëve. Mbështetjen kryesore për eksportet e kanë dhënë “Materialet e ndërtimit dhe metalet” dhe grupi “Ushqime, pije, duhan”, të cilat kontribuuan secili me nga 1.3 pikë përqindjeje në ndryshimin vjetor. Edhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” dhanë një kontribut pozitiv prej 0.7 pikë përqindjeje.

Në kahun tjetër vazhdon të rëndojë industria e tekstileve dhe këpucëve, një prej sektorëve tradicionalë të eksporteve shqiptare. Ky grup dha një kontribut negativ prej 2.9 pikësh përqindjeje në ecurinë e eksporteve të gushtit, duke neutralizuar një pjesë të konsiderueshme të rritjes së ardhur nga sektorët e tjerë. Negativisht ndikuan edhe produktet kimike dhe plastike, me -0.6 pikë përqindjeje.
Të dhënat tregojnë kështu se struktura e rritjes së eksporteve po ndryshon. Në gusht, materialet e ndërtimit, metalet dhe produktet ushqimore kanë kompensuar dobësinë e tekstileve dhe këpucëve, duke bërë të mundur që rezultati i përgjithshëm të mbetet pozitiv.
Italia vijon ndërkohë të luajë një rol kryesor për eksportuesit shqiptarë. Në gusht 2026, eksportet drejt Italisë u rritën me 5% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa ato drejt Kosovës u shtuan me 1.5%. Në të kundërt, një rënie shumë e fortë është regjistruar në tregtinë me Turqinë, ku eksportet shqiptare ranë me 54.1%. Eksportet drejt Maqedonisë së Veriut u reduktuan me 5.6%.
Bashkimi Europian mbetet destinacioni dominues i mallrave shqiptare. Sipas INSTAT, në gusht 63.1% e eksporteve totale të vendit u drejtuan drejt vendeve të BE-së. Në tërësi, shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian përfaqësuan 46.2% të tregtisë së jashtme të mallrave të Shqipërisë.
Por rritja modeste e eksporteve nuk ka mundur të mbajë ritmin e importeve. Në gusht, Shqipëria importoi mallra me vlerë 75.6 miliardë lekë, 12.6% më shumë se një vit më parë. Diferenca e madhe mes ritmit të importeve dhe eksporteve ka çuar në një zgjerim të ndjeshëm të deficitit tregtar, i cili arriti në 55 miliardë lekë, ose 17.4% më shumë krahasuar me gushtin 2025. /ekofin.al
