Muaji prill ka sjellë rënie të eksporteve, pas një ecurie relativisht pozitive në 3 muajt e parë të vitit, kjo ndikuar kryesisht nga eksportet e energjisë nga Shqipërisë drejt Kosovës. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë në prill 2025, duke u ulur me 4,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 5%, në krahasim me Mars 2025.
Për shkak të 3-mujorit të parë pozitiv, përgjithësisht, në 4 muajt e parë të vitit, eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 2,3 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Importet arritën 76 mld lekë në prill, duke u rritur me 0,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 2,5% në krahasim me Mars 2025. Ndërsa për 4 muajt e parë të vitit, importet e mallrave arritën vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me 2,5 %, krahasuar me një vit më parë.
Defiçiti tregtar i këtij muaji është 43 mld lekë, duke u rritur me 4,3%, krahasuar me Prill 2024 dhe me 9,3 %, në krahasim me Mars 2025. Në këtë katërmujor, Deficiti tregtar arriti vlerën 144 mld lekë, duke u ulur me6,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve: Gjatë muajit Prill 2025, në rënien e eksporteve prej 4,1 % kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,3 pikë përqindje “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3,4 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,1 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë këtij katërmujori janë rritur me 2,3 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,9 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me +0,6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,5 pikë përqindje. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,1 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” dhe “Tekstile dhe këpucë” me -0,8 pikë përqindje, etj.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve: Gjatë muajit Prill 2025, në rritjen e importeve prej 0,4 %, krahasuar me Prill 2024, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Produkte kimike dhe plastike” dhe “Prodhime druri dhe letre” me +0,5 pikë përqindje, etj. Ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -0,6 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,3 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -0,1 pikë përqindje.
Si katërmujor, importet janë ulur me 2,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -3,4 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,7 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +1,3 pikë përqindje, “Ushqim, pije duhan” me +0,3 pikë përqindje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me +0,3 pikë përqindje. /ekofin.al