Në Shtator 2025, Shqipëria regjistroi një ulje të fortë të eksporteve dhe një rritje të mëtejshme të importeve, duke çuar deficitin tregtar në 48 miliardë lekë, 17,8% më të lartë se një vit më parë.
Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se vlera e eksporteve arriti në 27 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 10,7%, ndërkohë që importet u rritën në 75 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 5,6%. Krahasuar me muajin gusht, eksportet u rritën me 34,6%, ndërsa importet me 11,8%, duke reflektuar rikthimin sezonal të aktivitetit pas verës.
Nëntëmujori: Eksportet bien, importet ngadalësohen
Në periudhën janar–shtator 2025, eksportet arritën vlerën 260 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 7,9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Importet, nga ana tjetër, u ulën lehtë me 1,3%, në 657 miliardë lekë, ndërsa deficiti tregtar për nëntëmujorin arriti në 397 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3,6%.
Materialet e ndërtimit dhe metalet “tërheqin poshtë” eksportet
Rënia e eksporteve në shtator është ndikuar kryesisht nga grupet:
• “Materiale ndërtimi dhe metale” (-8,4 pikë përqindje)
• “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” (-2,4 p.p.)
Ndërkohë, një ndikim pozitiv, megjithëse i kufizuar, kanë dhënë:
• “Tekstile dhe këpucë” (+1,4 p.p.)
• “Ushqime, pije dhe duhan” (+0,2 p.p.)
Në analizën e nëntëmujorit, ndikimi negativ i sektorit të materialeve të ndërtimit dhe metaleve mbetet dominues (-6,6 p.p.), duke reflektuar kërkesën më të dobët në tregjet europiane për produkte bazë industriale, si dhe uljen e çmimeve ndërkombëtare të lëndëve të para.
Importet rriten nga energjia dhe produktet ushqimore
Nga ana e importeve, rritja vjetore e shtatorit (+5,6%) është nxitur nga:
• “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” (+2,0 p.p.)
• “Ushqime, pije, duhan” (+1,5 p.p.)
Ndërsa një ndikim negativ minimal ka pasur grupi i lëkurës dhe artikujve prej saj (-0,1 p.p.).
Në total për nëntëmujorin, importet kanë rënë me 1,3%, të ndikuara nga “Makineri dhe pajisje” (-1,5 p.p.) dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” (-1,0 p.p.), çka sinjalizon një ngadalësim të investimeve industriale dhe ndërtimore.
Tregtia me partnerët kryesorë: Italia mbetet dominante, Kina rrit peshën
Italia mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, duke përfaqësuar 27,7% të tregtisë totale, ndjekur nga Kina (12,6%), Greqia (8,3%) dhe Turqia (6,7%).
Në Shtator, eksportet drejt Italisë ranë lehtë me 0,7%, ndërsa ato drejt Spanjës u tkurrën me gati 50%. Në të kundërt, eksportet drejt Kosovës (+8,1%), Greqisë (+32,5%) dhe Gjermanisë (+2,3%) shënuan rritje.
Në importet mujore, Kina ka shënuar rritjen më të madhe (+39,8%), e ndjekur nga Italia (+9,9%) dhe Greqia (+10,9%), ndërsa importet nga Turqia dhe Gjermania kanë rënë respektivisht me 7,3% dhe 1,5%.
Bashkimi Europian mban gjysmën e tregtisë së jashtme
Tregtia me vendet e Bashkimit Europian përbën 57,5% të totalit të shkëmbimeve tregtare.
Në shtator, 74,6% e eksporteve shqiptare janë orientuar drejt BE-së, ndërsa 51,3% e importeve kanë ardhur nga vendet e Unionit.
Kjo strukturë nënvizon varësinë e fortë të ekonomisë shqiptare nga tregjet europiane, pavarësisht diversifikimit në rritje të burimeve të furnizimit nga Azia. /ekofin.al
