Tregu i pensioneve private në Shqipëri ka shënuar një rritje konstante, por përsëri hapësirat për zgjerimin e tij mbeten të mëdha. Fondi privat i pensionit vlerësohet një alternativë shumë e mirë për të siguruar të ardhura shtesë për moshën e daljes në pension, paralelisht me skemën shtetërore. Në 3-mujorin e dytë, fondet private të pensioneve u rritën me 8.29%. Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, në një intervistë televizive thekson se kjo rritje përsëri mbetet e ulët krahasuar me numrin e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore.
Ajo thekson rëndësinë e edukimit financiar për të inkurajuar qytetarët të investojnë në pensione private që nga fillimi i punës, duke siguruar një nivel më të lartë jetese në pension. Nunaj sugjeron që pensionet private të bëhen të detyrueshme për të zgjeruar bazën e kontribuesve dhe thekson se rritja e pagave vetëm nuk është e mjaftueshme për të përmirësuar situatën e pensionistëve, duke kërkuar një fokus në rritjen e transparencës dhe numrit të kontribuesve.
Sipas ekspertes, kur flasim për një pension privat, mendojmë në këtë rast për një pension të dytë, i cili në momentin që dilet në pension, i bashkëngjitet pensionit shtetëror publik. Në këtë rast edhe pse tregu i pensioneve private është i kufizuar, sërish rritja edhe pse në numra të vegjël është një lajm i mirë, që sipas ekspertes, ka si arsye kryesore edukimin nga qytetarët shqiptarë. Edukimi financiar ka rritur vëmendjen ndaj mjeteve ose ndaj produkteve të ndryshme financiare, të cilat ndihmojnë në një moment të dytë të jetës.
Pyetjes se kur duhet të fillojnë të mendojnë qytetarët për pensionin privat dhe cila është mosha ideale për të filluar këtë lloj investimi, ekspertja iu përgjigj se të menduarit për pension privat duhet të fillojë që nga dita e parë e punës.
Gjatë diskutimit, ekspertja shprehu se pensionistët përbëjnë 30% të popullsisë shqiptarë dhe janë ata që kanë nivelet më të larta të konsumit social dhe mjekësor. Pensionistët nga ana tjetër janë individët më të pamundur, që nënkuptohet ata kanë nevojë për shërbim dhe mbështetje. Deri disa vite më parë, pensionistët mbështeteshin te familjarët e tyre, te fëmijët, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në emigrim. Tashmë situatat kanë ndryshuar. Kostoja e jetesës si në Shqipëri dhe në shumë vende të botës ku kemi shqiptarë janë rritur jashtëzakonisht më shumë dhe kjo ka sjellë edhe tkurrje të të ardhurave për secilën nga pjesët në familje. Duke marrë në konsideratë edhe remitancat që kanë sjellë emigrantët, në pjesën më të madhe prej tyre janë përdorur pikërisht për konsum.
Sipas raporteve të ndryshme, vetëm 5.2% e kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore janë të përfshirë te pensionet private. Pyetjes se cili është potenciali i tyre, nëse këto pensione private mund të ndihmojnë edhe pensionet shtetërore, ekspertja thotë se pensionet private funksionojnë si një zë më vete, nuk janë pjesë e skemës publike por ato ndihmojnë qytetarin në mënyrë të drejtpërdrejtë që kur të dalin në pension të marrin një të dytë, por në mënyrë indirekte edhe buxhetin e shtetit.
Ndërsa pyetjes nëse pensionet private do të ishte e arsyeshme të funksiononin si skema publike, pra të kalonte me detyrim, të merrej nga paga mujore, ekspertja iu përgjigj se pensioni privat do të funksionojë shumë mirë edhe pa detyrim dhe e sheh se mungon kultura financiare e popullatës, duke thënë se “kismet se çfarë ka bërë Zoti”, por se çfarë duhet të bëjmë ne, mendohet shumë pak. Për këtë arsye, ajo mendon se duhet të jetë e detyrueshme, duke sjellë dy shembuj reference: nëse pensionet publike nuk do të ishin të detyrueshme, nuk do të kishte tetëqind mijë apo më shumë kontribuues, por mund të ishte gjysma e tyre dhe nëse Këshilli i Ministrave nuk do të kishte bërë pagën minimale të përcaktuar, as kjo nuk do ishte, por do të ishte shumë herë më e ulët. Pra, shoqëria jonë ka ende nevojë t’i ketë gjërat të detyruara, sepse shumë pak e kanë vullnetin për ndryshim.
