Nga Mirilda Tili
Detyrimi i ri ligjor për instalimin e POS/POI dhe pranimin e pagesave “cashless” po shihet si një nga ndërhyrjet më të forta të viteve të fundit në përpjekjen për formalizimin e ekonomisë. Në 31 maj, ligjërisht është afati i fundit për bizneset që operojnë në sektorin e transportit, në turizëm dhe operatorët publikë që t’u ofrojnë qytetarëve mundësinë për pagesat digjitale. Por ndërsa qeveria e sheh këtë si një hap drejt modernizimit dhe luftës kundër evazionit fiskal, ekspertët paralajmërojnë se tranzicioni nuk do të jetë as i lehtë dhe as pa kosto për biznesin.
Ekspertët e ekonomisë dhe financave, Mateo Spaho dhe Elvin Meka, bien dakord se nisma për pagesat elektronike është pjesë e një procesi më të gjerë transformimi të ekonomisë, por ndajnë këndvështrime të ndryshme kur vjen puna te ritmi i zbatimit dhe barra që kjo sjell për sipërmarrjen.
Për Mateo Spahon, efekti pozitiv në luftën kundër informalitetit është i pritshëm dhe pothuajse i pashmangshëm. Sipas tij, pagesat elektronike krijojnë “gjurmë të deklarueshme”, duke e bërë më të vështirë fshehjen e xhiros dhe shmangien fiskale, sidomos në sektorë tradicionalisht të mbështetur tek cash-i, si tregtia, turizmi, restorantet dhe shërbimet.
Edhe Elvin Meka e konsideron lëvizjen si të domosdoshme, por e sheh atë më shumë si pjesë të një strategjie kombëtare të digjitalizimit të ekonomisë sesa thjesht si armë kundër evazionit. Në analizën e tij, lufta kundër informalitetit mbetet një objektiv i rëndësishëm, por jo i vetmi. Sipas Mekës, procesi duhet lexuar si një transformim strukturor, i cili kërkon kohë, koordinim dhe përgatitje më të madhe teknike.
Pikërisht këtu nis edhe dallimi më i fortë mes dy ekspertëve.
Spaho pranon se bizneset shqiptare, veçanërisht ato të vogla në turizëm, transport dhe shërbime, nuk janë plotësisht gati për ta zbatuar këtë detyrim brenda afatit. Megjithatë, ai argumenton se Shqipëria nuk mund të vazhdojë pafundësisht me shtyrje dhe tolerime. Në kushtet e integrimit europian dhe rritjes së kërkesave për formalizim, sipas tij, “vjen një moment kur limitet nuk mund të shtyhen më”.
Në të njëjtën linjë kritike, por më i kujdesshëm në ritëm, Elvin Meka mendon se biznesit të vogël duhej t’i jepej më shumë kohë për t’u përshtatur. Ai argumenton se procese të tilla nuk janë thjesht çështje instalimi pajisjesh, por kërkojnë trajnim, edukim financiar dhe një kuptim të qartë të kostove që sjell tranzicioni teknologjik.
Në thelb, të dy ekspertët pranojnë të njëjtin realitet: ekonomia shqiptare mbetet thellësisht e varur nga cash-i dhe niveli i gatishmërisë digjitale është ende i ulët. Por ndërsa Spaho kërkon që biznesi të fokusohet më shumë tek kërkesa për asistencë dhe ulje komisionesh, sesa tek shtyrja e afateve, Meka ngul këmbë se pa një periudhë më të gjatë adaptimi rrezikohet një implementim problematik dhe joefikas.
Edhe në aspektin teknik, dy ekspertët përshkruajnë një terren të vështirë për zbatimin praktik të reformës.
Problemet me internetin, mungesa e pajisjeve funksionale, ndërprerjet teknike dhe integrimi me fiskalizimin elektronik mbeten pengesa reale, sidomos në zonat turistike dhe rurale.
Spaho vë theksin tek mungesa e njohurive digjitale në bizneset familjare dhe nevoja për mbështetje konkrete teknike dhe financiare nga administrata dhe bankat.
Nga ana tjetër, Meka e zgjeron analizën duke e lidhur problematikën jo vetëm me biznesin, por edhe me nivelin e përfshirjes financiare në vend. Sipas tij, shkalla aktuale e përgatitjes së biznesit dhe infrastruktura financiare ende nuk garantojnë një zbatueshmëri optimale brenda një kohe kaq të kufizuar.
Megjithatë, kur vjen fjala tek kostot, ekspertët pothuajse bashkohen plotësisht.
Të dy pranojnë se instalimi dhe mirëmbajtja e POS/POI sjell barrë shtesë financiare për biznesin. Komisionet bankare, mirëmbajtja e pajisjeve, integrimi me fiskalizimin, abonimet e softuerëve dhe kostot administrative prekin mbi të gjitha biznesin e vogël, i cili ka marzhe më të ulëta fitimi dhe kapacitete më të kufizuara financiare.
Spaho e konkretizon këtë ndikim tek sektorët si baret, restorantet, taksitë, marketet e vogla apo hotelet familjare, ndërsa Meka e sheh problemin në një plan më të gjerë ekonomik, ku teknologjia duhet të shërbejë për uljen e kostove dhe jo për rritjen e tyre.
Në këtë pikë, të dy paralajmërojnë edhe një efekt zinxhir: rrezikun që kostot shtesë të transferohen tek konsumatori final përmes rritjes së çmimeve.
“Biznesi, si në çdo rast tjetër, do t’ia transferojë këtë kosto shtesë konsumatorit final”, argumenton Meka, duke shtuar se pa ekonomi shkalle dhe pa ulje të kostove operacionale, digjitalizimi mund të humbasë logjikën e vet praktike.
Spaho nuk e përjashton këtë rrezik, por e sheh në një perspektivë më afatgjatë. Sipas tij, rritja e përdorimit të pagesave elektronike mund të sjellë më shumë transparencë, efikasitet dhe ulje të kostove të menaxhimit të cash-it. Ai e lidh reformën edhe me nevojën për të rritur të ardhurat fiskale në një ekonomi ku mbledhja e TVSH-së mbetet shumë më e ulët nga potenciali real.
Në fund, të dy ekspertët bien dakord në një pikë thelbësore: digjitalizimi i ekonomisë shqiptare është i pashmangshëm. Debati real nuk lidhet më me pyetjen nëse Shqipëria duhet të kalojë drejt pagesave elektronike, por me mënyrën se si do të realizohet ky tranzicion, pa e rënduar biznesin, pa goditur konsumatorin dhe pa krijuar një reformë që në praktikë mbetet vetëm detyrim formal. /ekofin.al
