Drejtorët e institucioneve publike që kanë paraqitur dorëheqjen do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi me pikë, nga i cili do të përcaktohet nëse do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, do t’i nënshtrohen një periudhe prove apo do t’u pranohet dorëheqja. Ekofin disponon formularët e vlerësimit dhe kalendarin e procedurës, që parashikon përmbylljen e të gjithë procesit brenda këtij muaji, konkretisht jo më vonë se data 26 nëntor 2026.
Sipas dokumentacionit që disponon Ekofin, procesi ka nisur më 27 tetor dhe do të zgjasë maksimalisht 30 ditë. Vlerësimi do të realizohet përmes një sistemi prej 100 pikësh, ku do të analizohen performanca e drejtuesve, realizimi i objektivave, menaxhimi i institucioneve, zbatimi i buxhetit, vendimmarrja dhe integriteti profesional.
Dokumentet përcaktojnë dy procedura të veçanta vlerësimi: një për drejtorët e përgjithshëm të institucioneve dhe një tjetër për drejtuesit e strukturave në territor.
Afatet: Vlerësimi nga 3 deri më 20 nëntor, vendimet përfundimtare deri më 26 nëntor
Kalendari i procesit, që disponon Ekofin, përcakton katër faza.
Faza e parë ka nisur më 27 tetor, me kërkesën për vlerësimet territoriale dhe hapjen e dy proceseve paralele të vlerësimit.
Deri më 2 nëntor, drejtorët e përgjithshëm duhet të dorëzonin vlerësimet për drejtuesit e institucioneve në territor.
Periudha nga 3 deri më 20 nëntor është përcaktuar për vlerësimin e integritetit dhe pikëzimin nga ministrat përgjegjës dhe Ministria e Administratës Publike.
Ndërsa nga 21 deri më 26 nëntor do të realizohet konsolidimi i pikëve, përcaktimi i rezultateve dhe propozimi i masave për secilin drejtues.
Data 26 nëntor 2026 është afati maksimal i përcaktuar për mbylljen e procesit, çka do të thotë se brenda këtij muaji duhet të jetë përfunduar vlerësimi dhe të jenë përcaktuar masat për drejtuesit e përfshirë.
Si do të vlerësohen drejtorët e përgjithshëm? Ministri ka në dorë 70 pikë
Formulari i vlerësimit për drejtorët e përgjithshëm parashikon një ndarje të qartë të përgjegjësive.
Ministri përgjegjës do të japë deri në 70 pikë, ndërsa 30 pikët e mbetura do të përcaktohen nga një vlerësim i standardizuar i Ministrisë së Administratës Publike.
Vlerësimi i ministrit do të bazohet në tetë tregues konkretë:
1. Përcaktimi i prioriteteve dhe organizimi i punës së institucionit – 10 pikë.
2. Vendimmarrja në kohë, përgjegjshmëria dhe zgjidhja e problemeve – 10 pikë.
3. Drejtimi, koordinimi dhe mbikëqyrja e ekipit – 10 pikë.
4. Realizimi i objektivave të matshëm të institucionit – 15 pikë.
5. Realizimi i buxhetit dhe planit të investimeve, në raport me pritshmëritë deri në fund të vitit 2026 – 10 pikë.
6. Respektimi i afateve dhe funksionimi i rregullt i shërbimeve – 5 pikë.
7. Trajtimi i ankesave të bazuara dhe ndjekja e zgjidhjes së tyre – 5 pikë.
8. Marrja dhe ndjekja e masave korrigjuese për mangësitë e konstatuara – 5 pikë.
Peshën më të madhe në vlerësimin e ministrit e ka realizimi i objektivave të matshëm të institucionit, me 15 pikë.
Ndërkohë, Ministria e Administratës Publike do të kryejë një vlerësim të standardizuar për tre elemente: vendimmarrjen, menaxhimin e ekipit dhe integritetin profesional në situata pune. Secili prej tyre vlerësohet me 10 pikë.
Në total, drejtori i përgjithshëm do të marrë një rezultat nga 0 deri në 100 pikë.
Drejtorët në territor, 60 pikë nga prefekti dhe 40 nga drejtori i përgjithshëm
Një formulë tjetër është përcaktuar për drejtuesit e institucioneve në territor.
Sipas formularit që disponon Ekofin, vlerësimi i tyre do të ndahet ndërmjet drejtorit të përgjithshëm, i cili ka në dispozicion 40 pikë, dhe prefektit, me 60 pikë.
Vlerësimi nga drejtori i përgjithshëm përfshin pesë tregues:
* Përmbushjen e objektivave të zyrës në territor – 10 pikë.
* Zbatimin në kohë të udhëzimeve dhe vendimeve të institucionit – 10 pikë.
* Organizimin dhe mbikëqyrjen efektive të punës së ekipit – 10 pikë.
* Identifikimin dhe adresimin në kohë të problematikave të zyrës – 5 pikë.
* Raportimin e saktë dhe në kohë pranë institucionit qendror – 5 pikë.
Në formular përcaktohet pesha prej 60 pikësh e prefektit, por nuk jepet zbërthimi i kritereve për këtë pjesë të vlerësimit.
Kjo skemë i jep prefektit një rol të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar të drejtuesve territorialë, pasi vlerësimi i tij përfaqëson 60% të pikëve totale.
Tre kategoritë e rezultateve: Kush qëndron dhe kujt i pranohet dorëheqja?
Dokumenti përcakton tre kategori të rezultateve përfundimtare.
Mbi 80 pikë dhe kalimi i testit të integritetit (PASS): Drejtuesi vlerësohet pozitivisht dhe parashikohet vijimi në detyrë, refuzimi i dorëheqjes ose tërheqja e saj.
Nga 70 deri në 80 pikë dhe kalimi i testit të integritetit (PASS): Drejtuesi do t’i nënshtrohet një periudhe prove dhe trajnimi. Formulari për drejtorët e përgjithshëm përcakton se në këtë rast drejtuesi vijon në detyrë dhe rivlerësohet pas gjashtë muajsh, kundrejt objektivave të matshëm.
Nën 70 pikë ose moskalimi i testit të integritetit (FAIL): Parashikohet pranimi i dorëheqjes.
Kjo do të thotë se pikët nuk janë kriteri i vetëm vendimmarrës. Edhe një drejtues që arrin rezultat të lartë në performancë mund të mos e kalojë procesin nëse vlerësimi i integritetit rezulton negativ.
Integriteti, filtër i detyrueshëm për të gjithë drejtuesit
Një element i veçantë i formularëve është vlerësimi i integritetit, i cili nuk shprehet me pikë, por me dy alternativa: PASS ose FAIL.
Kjo procedurë zbatohet si për drejtorët e përgjithshëm, ashtu edhe për drejtuesit në territor.
Në këtë mënyrë, sistemi kombinon matjen e performancës administrative me një filtër integriteti, rezultati negativ i të cilit mund të sjellë pranimin e dorëheqjes, pavarësisht pikëve të grumbulluara.
Nëntori, muaji i vendimeve për administratën
Procesi i vlerësimit pritet të përcaktojë se cilët prej drejtuesve që kanë paraqitur dorëheqjen do të vijojnë të ushtrojnë funksionet dhe cilët nuk do të përmbushin standardet e kërkuara.
Për herë të parë në dokumentacionin që disponon Ekofin, procedura paraqitet me një kalendar të detajuar, formularë të standardizuar dhe pragje konkrete pikëzimi për marrjen e vendimeve.
Në përfundim, vendimmarrja do të mbështetet në rezultatet e konsoliduara të vlerësimit, ndërsa për drejtuesit që klasifikohen në kategorinë e ndërmjetme parashikohet një mundësi tjetër për të provuar performancën e tyre përmes trajnimit dhe rivlerësimit pas gjashtë muajsh. /ekofin.al
