Luca Dini Design & Architecture ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë për të eksploruar zhvillimin e një strategjie kombëtare detare. Nisma synon ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër të qëndrueshme jahtesh në Mesdhe.
Strategjia e propozuar parashikon krijimin e një rrjeti marinash të ndërlidhura, të konceptuara për të ndarë burime dhe infrastrukturë në vend që të konkurrojnë mes tyre. Kjo qasje synon të përmirësojë efikasitetin logjistik, të mbështesë rritjen ekonomike rajonale dhe të ulë ndikimin mjedisor. Pozicioni gjeografik i Shqipërisë pranë destinacioneve tashmë të konsoliduara të jahteve si Greqia dhe Mali i Zi, së bashku me vijën bregdetare ende të pashfrytëzuar, shihet si bazë për tërheqjen e lundruesve sezonalë dhe superjahteve.
Projekti, të cilin e ka konsultuar ekofin.al, parashikon zhvillimin e faciliteteve të shërbimit, përfshirë kantierë riparimi, stacione rinovimi dhe zona furnizimi me karburant, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe për të akomoduar anije më të mëdha. Plani thekson adoptimin e parimeve të qëndrueshmërisë në ndërtimin e marinave të reja dhe diversifikimin e specializimeve sipas lokacioneve të ndryshme, për të reduktuar mbipopullimin dhe presionin mjedisor. Lidhjet intermodale të transportit me rrjetet rrugore dhe hekurudhore janë gjithashtu pjesë e strategjisë së propozuar, për të lidhur rajonet bregdetare me ato të brendshme.
Ky koncept është në linjë me nismat e Bashkimit Europian, si Rrjeti Trans-Evropian i Transportit (TEN-T), me fokus në integrimin me sistemet tregtare dhe logjistike kontinentale. Luca Dini Design & Architecture do të sjellë ekspertizë në arkitekturë, dizajn jahtesh dhe masterplanin në këtë projekt. Sipas kompanisë, 15 vitet e ardhshme përfaqësojnë një periudhë kritike për Shqipërinë për t’u afirmuar si një destinacion detar konkurrues përmes planifikimit të koordinuar.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nga Konferenca Ndërkombëtare për Marinën Inteligjente dhe të Qëndrueshme në Monako prezantoi dje strategjinë kombëtare të marinave dhe planet për zhvillimin e infrastrukturës detare të Shqipërisë.
Balluku informoi se skuadra e Luca Dinit, arkitektit të njohur italian, prej disa muajsh po punon me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë për të dizenjuar strategjinë e Marinave Inteligjente dhe të Qëndrueshme.
“E gjithë kjo punë do ta kthejë Shqipërinë në një hub mesdhetar të një industrie si pjesë e turizmit që tashmë është kthyer në një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë tonë, por, që nga ana tjetër duhet të ketë sa më shumë inovacion për të prodhuar një qëndrueshmëri edhe për dekadat e ardhshme”, shtoi Balluku. /ekofin.al

