Programi i ri “Pas Shkolle” do të nisë zbatimin në një grup shkollash publike, duke krijuar mundësinë që nxënësit të qëndrojnë në mjediset shkollore edhe pas përfundimit të orarit të zakonshëm mësimor. Programi parashikon ndihmë për kryerjen e detyrave të shtëpisë për fëmijët e klasave 1-5, ndërsa për nxënësit nga klasa e parë deri në përfundim të arsimit të mesëm do të ofrohen klube të arteve dhe zejeve.
Rregullat e zbatimit të programit janë përfshirë edhe në udhëzimin për vitin shkollor 2026-2027, të botuar këtë të enjte në Fletoren Zyrtare.
Programi “Pas Shkolle” mbështetet në vendimin nr. 627, datë 30 korrik 2026, të Këshillit të Ministrave dhe do të zhvillohet jashtë orarit mësimor. Synimi është përforcimi i të nxënit, por edhe zhvillimi i aftësive akademike, sociale, kulturore, sportive dhe krijuese të fëmijëve.
Ekofin.al sjell ekskluzivisht listën e shkollave, ku do të aplikohen për herë të parë të dyja programet, si ai pas shkolle, ose after-school, ashtu edhe programi arte dhe zeje.
Pjesëmarrja nuk do të jetë automatike. Përfshirja e nxënësit do të bëhet me kërkesë të prindit ose personit që ushtron përgjegjësinë prindërore, nëpërmjet aplikimit në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar, SMIP.
Programi ndahet në dy komponentë kryesorë. I pari është “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë” (BDSH), që synon të krijojë një hapësirë të organizuar ku fëmijët mund të punojnë me detyrat pas përfundimit të mësimit. Ky program do të jetë i disponueshëm për arsimin fillor, pra për klasat 1-5.
Komponenti i dytë janë “Klubet e Arteve dhe Zejeve” (KAZ), të cilat do të shtrihen më gjerë. Ato do të zhvillohen në arsimin fillor, në klasat 6-9 dhe në arsimin e mesëm të lartë, klasat 10-12. Klubet do të përfshijnë muzikën, kërcimin, teatrin, artin pamor dhe zejet.
Për “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë”, një grup do të zhvillojë pesë orë aktivitet në javë, konkretisht nga një orë 60-minutëshe në ditë për pesë ditë. Një mësues mund të angazhohet me deri në dy grupe, ose maksimumi 10 orë në javë.
Klubet e Arteve dhe Zejeve do të zhvillohen dy orë në javë për çdo klub, të ndara në dy ditë nga 60 minuta. Edhe numri i pjesëmarrësve është përcaktuar: çdo grup ose klub duhet të ketë jo më pak se 20 dhe jo më shumë se 30 nxënës.
Aktivitetet do të zhvillohen nga trajnues të kualifikuar.
Një rol të rëndësishëm do të kenë drejtoritë e shkollave. Drejtori ose nëndrejtori do të organizojë dhe koordinojë programin, do të miratojë grupet dhe klubet, oraret e aktiviteteve dhe do të sigurojë kushtet për zhvillimin e tyre. Drejtori do të jetë gjithashtu përgjegjës për monitorimin e zbatimit dhe respektimin e standardeve.
Procesi do të jetë i administruar në mënyrë digjitale. Të dhënat për nxënësit pjesëmarrës, trajnuesit dhe aktivitetet do të regjistrohen në SMIP. Në të njëjtin sistem do të regjistrohet edhe frekuentimi i nxënësve, ndërsa në fund të vitit shkollor çdo institucion do të duhet të vlerësojë programin në bazë të pjesëmarrjes, rezultateve dhe ndikimit të tij te fëmijët.
Programi sjell kështu një model të ri të përdorimit të shkollës përtej orarit tradicional të mësimit. Për familjet, veçanërisht ato me fëmijë në arsimin fillor, elementi më i drejtpërdrejtë është mundësia që fëmijët të kryejnë detyrat e shtëpisë në një mjedis të organizuar dhe nën drejtimin e personelit të kualifikuar, ndërsa klubet synojnë ta shndërrojnë qëndrimin pas mësimit edhe në një hapësirë për zhvillimin e interesave artistike dhe krijuese. /ekofin.al

