Një fond likuiditeti prej 25 miliardë lekësh nga Banka e Shqipërisë, rreth 3 miliardë lekë garanci sovrane nga qeveria dhe kredi me interesa që nuk duhet të kalojnë 3% janë elementët kryesorë të Memorandumit të Mirëkuptimit në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, të nënshkruar mes Bankës së Shqipërisë, qeverisë dhe bankave tregtare për financimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla e të mesme dhe fermerëve.
Ekofin.al zbardh marrëveshjen tashmë të nënshkruar nga qeveria, Banka Qendrore dhe bankat e nivelit të dytë.
Kjo marrëveshje krijon një mekanizëm të ri kombëtar financimi që synon të lehtësojë aksesin në kredi për bizneset dhe fermerët, veçanërisht për ata që kanë vështirësi në sigurimin e kolateralit ose aksesit në financim afatgjatë.
Në thelb të saj, nisma mbështetet në tre shtylla kryesore fondin e likuiditetit të vënë në dispozicion nga Banka e Shqipërisë; skemën e garancisë sovrane të qeverisë dhe asistencën teknike me grante për bizneset dhe fermerët.
Sipas memorandumit, fondi prej 25 miliardë lekësh do të përdoret nga bankat tregtare për të financuar investime produktive, ndërsa garancia sovrane do të mbulojë një pjesë të riskut të kredive. Niveli i garancisë do të ndryshojë sipas sektorëve dhe nivelit të riskut, por nuk do të jetë më i lartë se 70% e vlerës së kredisë.
Një tjetër element i rëndësishëm i marrëveshjes është kufizimi i normës së interesit. Dokumenti përcakton se kreditë e mbuluara nga skema nuk duhet të kenë interes më të lartë se 3%, me qëllim që financimi të mbetet i përballueshëm për bizneset dhe fermerët.
Programi synon të mbështesë investime në teknologji dhe digjitalizim; eficiencë energjetike; standarde ndërkombëtare; logjistikë dhe rritje të konkurrueshmërisë së sektorit privat.
Marrëveshja i kushton rëndësi të veçantë edhe sektorit të bujqësisë. Qeveria angazhohet të ruajë një kuotë të dedikuar të fondit të garancisë për fermerët dhe aktivitetet bujqësore, duke e konsideruar sektorin si një nga më pak të kredituarit në raport me peshën që ka në ekonomi.
Përveç financimit, skema parashikon edhe asistencë teknike për bizneset dhe fermerët, përmes mbështetjes në përgatitjen e aplikimeve për kredi; hartimin e planeve të biznesit; dokumentacionin teknik dhe certifikimet sipas standardeve ndërkombëtare.
Në memorandum theksohet se problemi kryesor në Shqipëri nuk është mungesa e likuiditetit në sistemin bankar, por aksesi i kufizuar në financim për bizneset e vogla dhe fermerët, për shkak të mungesës së kolateralit dhe njohurive financiare.
Aktualisht, ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 99.8% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri, 82.5% të punësimit dhe 78.2% të vlerës së shtuar bruto të ekonomisë.
Palët nënshkruese argumentojnë se rritja e kreditimit produktiv dhe modernizimi i sektorit privat janë të domosdoshme për rritjen ekonomike dhe për afrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Memorandumi u nënshkrua në Tiranë nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Bujqësisë dhe 11 banka tregtare që operojnë në vend. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

