Ekonomia shqiptare vijon të performojë pozitivisht, pavarësisht ndikimeve negative të tregjeve për shkak të krizës së energjisë dhe invazionit rus në Ukrainë.
Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2022 vlerësohet me rritje prej 5,97 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2021.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi Produktin e Brendshëm Bruto, sipas të cilit, kontribut pozitiv kanë dhënë ndërtimi me 1,95 %, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1,55 %, aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0,91 %, aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0,66 pikë përqindje, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 0,26 %, industria, energjia dhe uji me 0,24 pikë përqindje.
Sipas INSTAT-it, taksat neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,89 %.
Ndërkohë, referuar të dhënave të INSTAT-it, negativisht kontribuan aktivitetet: arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me 0,35 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0,18 %.