Ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2025 me një rritje reale prej 3.79%, sipas vlerësimit paraprak të INSTAT, duke konfirmuar një ritëm pozitiv zgjerimi edhe në një vit kur jo të gjithë sektorët ecën në të njëjtën shpejtësi. Të dhënat tregojnë se në fund të vitit motori i rritjes ka ardhur kryesisht nga ndërtimi, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, si edhe nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, ndërsa bujqësia, industria dhe komunikacioni kanë frenuar performancën e përgjithshme të ekonomisë.
Leximi i shifrave tregon se rritja e vitit 2025 nuk është më një histori e shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë ekonominë, por një zgjerim i mbështetur fort te disa sektorë të lidhur me investimet, ndërtimin dhe shërbimet. Vetë fakti që pasuritë e paluajtshme kanë ruajtur rritje të fortë, ndërsa ndërtimi ka dhënë kontributin më të madh pozitiv në tremujorin e fundit, sugjeron se ekonomia ka vijuar të mbështetet ndjeshëm te aktiviteti i lidhur me pronën, zhvillimin urban dhe ciklin e investimeve në pasuri të paluajtshme. Paralelisht, rritja e administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë tregon se edhe sektori publik ka pasur një peshë të rëndësishme në zgjerimin ekonomik.
Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2025, aktiviteti i “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” u rrit me 8.30%, “Ndërtimi” me 7.36% dhe “Pasuritë e paluajtshme” me 6.25%. Në rritje ishin edhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 2.82%, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 1.14%, si edhe aktivitetet e tjera të shërbimit me 0.81%. Në kahun tjetër, “Informacioni dhe Komunikacioni” ra me 3.55%, “Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi” me 2.19% dhe “Industria, Energjia dhe Uji” me 1.59%. Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare në 2025 është rritur, por me një bazë jo plotësisht të balancuar: sektorët e lidhur me prodhimin material dhe bujqësinë kanë treguar dobësi, ndërsa shërbimet publike, ndërtimi dhe real estate kanë mbajtur peshën kryesore të zgjerimit.
Nëse shihet kontributi në rritjen e PBB-së vetëm për tremujorin e katërt, tabloja bëhet edhe më e qartë. Ndërtimi dha +1.17 pikë përqindje në rritjen vjetore të tremujorit, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia +1.02 pikë përqindje, aktivitetet e pasurive të paluajtshme +0.32 pikë përqindje dhe tregtia me turizmin e transportin +0.22 pikë përqindje. Nga ana tjetër, bujqësia zbriti -0.27 pikë përqindje, industria -0.16 pikë përqindje dhe informacioni e komunikacioni -0.11 pikë përqindje. Edhe “taksat neto mbi produktet” dhanë një kontribut shumë të lartë pozitiv prej +1.54 pikë përqindje, çka tregon edhe një zgjerim të aktivitetit të formalizuar dhe konsumit të tatueshëm në ekonomi.
Kjo strukturë e rritjes ngre një element të rëndësishëm për analizë: ekonomia po rritet, por jo falë një gjallërimi të gjerë të industrisë apo bujqësisë. Përkundrazi, dobësia e këtyre degëve tregon se modeli i rritjes vijon të mbetet i përqendruar te ndërtimi, prona dhe shërbimet, duke e bërë zgjerimin ekonomik më pak të diversifikuar. Kjo është një sinjal pozitiv në afatshkurtër për ritmin e rritjes, por njëkohësisht një sinjal që ekonomia ka ende nevojë për një bazë më të fortë prodhuese, sidomos në sektorët që krijojnë eksporte, vlerë të shtuar industriale dhe qëndrueshmëri më të lartë në afatgjatë.
Sa i takon mbylljes së vitit, tremujori i katërt solli një rritje reale prej 3.80% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë, PBB-ja e përshtatur sezonalisht u rrit me 0.88%. Në këtë krahasim tremujor mbi tremujor, ndërtimi u rrit me 5.11%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 3.40%, industria, energjia dhe uji me 2.66%, ndërsa pasuritë e paluajtshme me 0.54%. Nga ana tjetër, aktivitetet profesionale dhe administrative ranë me 5.91%, informacioni dhe komunikacioni me 5.32%, ndërsa administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0.88%. Kjo tregon se fundviti ka qenë pozitiv, por jo linear: disa sektorë e mbyllën vitin me hov, ndërsa disa të tjerë dhanë shenja ftohjeje krahasuar me tremujorin paraardhës.
Edhe nga këndvështrimi i shpenzimeve, tremujori i katërt konfirmon një ekonomi që është mbështetur te kërkesa e brendshme dhe investimet. Konsumi final i popullatës u rrit me 2.99%, konsumi final i qeverisë me 1.83%, formimi bruto i kapitalit fiks me 6.73%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 10.65%. Importet u rritën me 6.56%. Këto shifra tregojnë se në fund të vitit ka pasur jo vetëm konsum më të lartë, por edhe investime më të forta dhe rritje të eksporteve, çka e bën mbylljen e 2025-ës më solide nga pikëpamja e kërkesës agregate.
Në tërësi, 2025 rezulton një vit me rritje të mirë ekonomike për Shqipërinë, por me një profil të qartë sektorial: ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme mbeten ndër shtyllat kryesore të zgjerimit, sektori publik ka dhënë një shtysë të rëndësishme, ndërsa bujqësia, industria dhe komunikacioni kanë mbetur më të dobët. /ekofin.al



