Ekonomia e vendit u rrit me 3.63% në tre-mujorin e parë të vitit, njoftoi INSTAT, e udhëhequr kryesisht nga zgjerimi i mëtejshëm i sektorit të ndërtimit, që kishte edhe rritjen më të madhe, ndjekur nga administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, si edhe tregtia dhe shërbimet, për shkak të aktivitetit në rritje të turizmit.
Vijon situata jo e mirë për industrinë dhe bujqësinë, të cilët kanë dhënë sërish kontribut negative në rritjen ekonomike, me rënie respektivisht prej 1 dhe 1.7%.
Sipas njoftimit të INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 3,63 % në terma realë, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2023.
Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: “Ndërtimi” me +1,19 pikë përqindje, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0.92 pikë përqindje, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,76 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,36 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0.32 pikë përqindje, “Informacioni dhe Komunikacioni” me +0,06 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,06 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,05 pikë përqindje.
Negativisht kontriboi grupi: “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,31 pikë përqindje, “Industri, Energji dhe Uji” me -0,15 pikë përqindje. “Taksat Neto mbi produktet” kontribuan pozitivisht me +0,36 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023, paraqiten si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 1,73%, i ndjekur nga Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit i cili shënoi rënie me 1,05% në terma vjetor.
Aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi rritje me 14,04%, i ndjekur nga grupi i aktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 7,71%.
“Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme” ka shënuar një rritje prej 5,91%, grupi i “Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 5,54%, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” pati një rritje prej 4,63%, “ Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit” shënoi një rritje prej 2,83%, grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rritje prej 2,14% dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 1,97%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 2,80%. Ekofin.al

