Ekonomia ka vijuar të rritet me ritëm të njëjtë edhe në tre-mujorin e tretë të vitit, krahasuar me tre-mujorin paraardhës. Zakonisht ky tre-mujor, që përfshin periudhën e verës, muajt korrik, gusht dhe shtator, atëherë kur edhe rritet aktivitetit turistik, jep kontribut të shtuar në rritjen ekonomike, së bashku edhe me tre-mujorin e fundit të vitit. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT ditën e sotme, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 4,09% në tremujorin e tretë të vitit 2024 kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2023.
Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë patur degët “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, që lidhet direkt me aktivitetin e turizmit, me +1,30%, “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +0,91%, kryesisht efekti i rritjes së pagave në korrik “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0,81%, “Ndërtimi” me +0,58%, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,2%, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,1%, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,07%.
Negativisht kontribuan grupet: “Industri, Energji dhe Uji” me -0,43 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,41 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,12 pikë përqindje. “Taksat Neto mbi produktet” kontribuan pozitivisht me +1,06 pikë përqindje.
Grupi “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rritje 11,64 % i ndjekuar nga grupi iaktiviteteve të “Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë” i cili shënoi rritje 8,36 %. Grupi “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” shënoi një rritje prej 6,27 %, grupi i aktiviteteve “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi rritje prej 6,19 %, aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi rritje me 5,30 %, aktiviteti i “Pasurive të Paluajtshme” shënoi rritje prej 4,33 % dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi” pati rritje me 3,88 %.
Ndërsa grupi i aktiviteteve “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rënie prej -5,25, aktivitetet e “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënuan rënie me -4,04 % dhe aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” shënoi ulje me
-2,54 %.
Konsumi shënon rritje
– Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit në terma realë me
0,83 %;
– Konsumi final i qeverisë u rrit me 6,80 %;
– Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 4,52 %;
– Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,32 % dhe Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me
6,82 %.
Sipas të dhënave të përshtatura sezonalisht, ndryshimet në krahasim me tremujorin paraardhës, shfaqen si më poshtë:
– Konsumi final i popullatës shënoi rënie prej 2,31 %;
– Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 0,72 %;
– Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u shfaq me një rritje prej 1,40 %;
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,92 % gjithashtu edhe Importet e mallrave dhe
shërbimeve u rrit me 1.15%.