Ekonomia shqiptare vijoi të zgjerohet gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, e mbështetur kryesisht nga administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, tregtia dhe turizmi, ndërsa bujqësia regjistroi një tjetër ecuri negative.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit në terma realë me 3.61% në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Edhe në krahasim me tre muajt e parë të vitit, ekonomia ka vijuar të rritet. PBB-ja e përshtatur sezonalisht u zgjerua me 0.8% kundrejt tremujorit të parë të vitit 2026.
Motori kryesor i rritjes në tremujorin e dytë ishte grupi “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia”, që dha një kontribut prej 1.38 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike. Pas tij renditet grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor”, me 0.98 pikë përqindjeje, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme kontribuuan me 0.36 pikë përqindjeje.
Ndërtimi dha një kontribut prej vetëm 0.15 pikë përqindjeje, ndërsa informacioni dhe komunikacioni kontribuuan me 0.06 pikë. Aktivitetet financiare dhe të sigurimit dhe grupi industri, energji dhe ujë dhanë nga 0.05 pikë përqindjeje secili. Një ndikim të konsiderueshëm pozitiv dhanë edhe taksat neto mbi produktet, me 1.13 pikë përqindjeje.
Në kahun tjetër, bujqësia vijon të frenojë rritjen ekonomike. Grupi “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” dha një kontribut negativ prej 0.38 pikë përqindjeje. Aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative kontribuuan me -0.14 pikë, ndërsa arti, argëtimi dhe aktivitetet e tjera të shërbimit me -0.03 pikë përqindjeje.
Të dhënat sipas sektorëve tregojnë diferenca të forta. Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia shënuan një rritje vjetore prej 12.14%, më e larta ndër aktivitetet kryesore të ekonomisë. Pasuritë e paluajtshme u rritën me 7.2%, ndërsa tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 5.53%.
Aktivitetet financiare dhe të sigurimit u zgjeruan me 3.53%, informacioni dhe komunikacioni me 2.58%, ndërtimi me vetëm 1.37%, ndërsa industria, energjia dhe uji regjistruan një rritje modeste prej 0.47%. Taksat neto mbi produktet u rritën me 8.45%.
Ndryshe nga këta sektorë, bujqësia, pyjet dhe peshkimi ranë me 2.29% në raport me tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative ranë me 2.17%, ndërsa arti, argëtimi dhe aktivitetet e tjera të shërbimit me 2.08%.
Nga këndvështrimi i shpenzimeve, një sinjal pozitiv vjen nga konsumi. Konsumi final i popullatës u rrit me 4.55%, ndërsa konsumi final i qeverisë u zgjerua me 4.15%. Formimi bruto i kapitalit fiks, tregues i lidhur me investimet në ekonomi, shënoi një rritje më të ngadaltë prej 1.76%.
Një rritje e fortë u regjistrua në shkëmbimet me jashtë. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9.78%, ndërsa importet u zgjeruan me 7.55% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në krahasimin tremujor, të dhënat e përshtatura sezonalisht tregojnë se konsumi i popullatës u rrit me 0.82% dhe ai i qeverisë me 1.81%. Investimet, të matura përmes formimit bruto të kapitalit fiks, ranë lehtë me 0.08%. Eksportet u rritën me 2.33%, por importet u zgjeruan më shpejt, me 4.25%./ekofin.al

