Në tremujorin e tretë të vitit 2023 produkti i Brendshëm Bruto (PBB) shënoi rritje me 3.46 %, kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2022. INSTAT publikoi sot raportin mbi rritjen ekonomike në vend. Degët kryesore që udhëhoqën rritjen ekonomike në vend ishin ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.
Sipas INSTAT-it. aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit shënoi rënie prej 0,50 %. Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit pati një rënie me 2.89 %. Aktiviteti i ndërtimit pati një rritje me 4.72 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pati një rritje prej 0.77 %. Grupi i aktiviteteve të informacionit dhe komunikacionit u shfaq me rritje prej 8.97 %. Aktiviteti financiar dhe i sigurimit ka shënuar një rritje prej 4.50 %. Aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje prej 12.20 %.
Grupi i aktiviteteve profesionale dhe shërbime administrative u shfaq me rritje prej 7.55 %. Grupi i aktiviteteve të administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë u shfaq me rritje prej 11.18 %. Grupi i aktiviteteve arte, argëtim dhe çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi pati rritje me 11.28 %. Taksat neto mbi produktet u rritën me 2.87 %. Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës, treguesi i Produktit të Brendshëm Bruto i përshtatur sezonalisht vlerësohet me rritje prej 2.30 %.
Ndërsa konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2.06 %. Konsumi final i qeverisë u shfaq me një rritje prej 12.28 %. Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks (investimet) u rrit me 2.11 %. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 17.91 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 2.05 %.
