INSTAT ka rishikuar metodologjinë për vlerësimin e rritjes ekonomike në 5 vitet e fundit dhe kjo është shoqëruar me ndryshime të shifrave të publikuara më parë. Ndryshimi më i rëndësishëm është ai për rritjen ekonomike në vitin 2023, e cila tashmë vlerësohet në 3.94%. Në publikimin e mëparshëm, në fillim të muajit prill, INSTAT e kishte përllogaritur rritjen ekonomike të vitit të kaluar në masën 3.45%, bazuar në vlerësimet tre-mujore të PBB-së.
Sipas INSTAT, PBB me çmime korrente në vitin 2023 u vlerësua 2,369,906 milionë lekë, nga 2,312,591 që ishte në vlerësimin e mëparshëm, me një rritje prej 2.48%. Ndryshime në vlerësimin e PBB-së ka patur edhe për vitin e mëparshme, por në masë më të vogël.

INSTAT njofton se në kuadër të rishikimit të Llogarive Kombëtare, vlerësohet për herë të parë Prodhimi i Brëndshëm Bruto (PBB), me metodën e të ardhurave. Në strukturën e PBB-së sipas kësaj metode, komponentët kryesorë janë fitimi operativ bruto, i cili përbën peshën kryesore të të ardhurave në ekonomi, me 61,49% në vitin 2023. Më tej, vijnë kompensimi i punonjësve, me 24,34%, i ndjekur nga taksat mbi produktet me 12,82% për të njëjtin vit.
Instituti i Statistikave njofton se rishikimet madhore janë procese të rregullta të sistemit të Llogarive Kombëtare, të cilat kryhen të paktën një herë në 5 vjet, në mënyrë të koordinuar dhe në bashkëpunim me Eurostat. Ato kanë si qëllim përfshirjen e burimeve të reja të informacionit, përmirësimin e burimeve ekzistuese si dhe zbatimin e ndryshimeve metodologjike statistikore ndërkombëtare. Rishikimi i mëparshëm i Llogarive Kombëtare u krye në vitin 2014, kur INSTAT për herë të parë u bë pjesë e ciklit të rishikimit sipas standardeve të BEsë. Rishikimi i vitit 2024 është rishikimi i dytë i Llogarive Kombëtare dhe përfshin rishikimin e të dhënave që nga viti 2018. /ekofin.al
