Ekonomia globale pritet të rritet me rreth 3.1% në vitin 2026, por pas kësaj shifre pozitive fshihen tensione strukturore që po thellohen. Inflacioni po zbutet në disa rajone, ndërsa në të tjera mbetet këmbëngulës; qeveritë kanë më pak hapësirë fiskale dhe monetare për t’iu përgjigjur goditjeve krahasuar me disa vite më parë; dhe modeli i tregtisë së hapur dhe zinxhirëve të integruar të furnizimit po rikonfigurohet rrënjësisht. Duke u mbështetur në mbi 2,000 parashikime ekspertësh, Global Forecast Report 2026 identifikon tri rreziqe kryesore ekonomike që kërkojnë vëmendje të veçantë këtë vit.
Rreziku i parë lidhet me fragmentimin e rendit ekonomik global. Për dekada, kompanitë ndërtuan zinxhirë furnizimi me synimin kryesor minimizimin e kostos. Sot, kjo logjikë po zëvendësohet nga menaxhimi i rrezikut gjeopolitik, tarifat dhe sanksionet, si dhe politikat industriale në ndryshim, përfshirë skemat e ashtuquajtura “friend-shoring”.
Ky transformim përfaqëson një ndryshim thelbësor në normat tradicionale të tregtisë globale. Zinxhirët e furnizimit po optimizohen gjithnjë e më shumë për siguri politike dhe jo për efikasitet kostoje. Marrëveshjet e reja tregtare po negociohen jashtë institucioneve tradicionale shumëpalëshe, duke krijuar koalicione fleksibël me marrëveshje bilaterale ose rajonale.
Paralelisht, ndërhyrjet tregtare janë shtuar ndjeshëm: pjesa e importeve të G20 të mbuluara nga tarifa ka shënuar rritjen më të madhe në historinë e monitorimit të OBT-së. Tarifat janë shndërruar në mjet kryesor të konfrontimit gjeoekonomik dhe janë renditur si rreziku kryesor global për 2026, sipas Global Risks Report të Forumit Ekonomik Botëror.
Edhe marrëveshjet ekzistuese janë nën presion, me USMCA që përballet me pasiguri në rritje për shkak të tensioneve politike në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Megjithatë, po lindin edhe marrëveshje të reja: marrëveshja e tregtisë së lirë BE-Mercosur, pas më shumë se dy dekadash negociata, duket pranë ratifikimit, ndërsa Kanadaja dhe Kina kanë arritur një marrëveshje të re të fokusuar në automjetet elektrike, që ul tarifat për EV-të kineze nga 100% në 6.1% për 49,000 automjetet e para të importuara çdo vit. Këto zhvillime sugjerojnë se tregtia globale nuk do të shembet, por do të kalojë një periudhë të gjatë dhe të vështirë përshtatjeje ndaj realiteteve të reja politike.
Rreziku i dytë është përshkallëzimi gjeopolitik mes fuqive të mëdha, një kërcënim i vazhdueshëm që, kur materializohet, sjell kosto të rënda dhe afatgjata për ekonominë globale. Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 e tregoi qartë këtë: lufta shkaktoi tronditje të çmimeve të energjisë në Evropë, ndërpreu furnizimet globale ushqimore, përshpejtoi fragmentimin e rrjeteve tregtare dhe detyroi qeveritë të ridrejtonin qindra miliarda drejt shpenzimeve të mbrojtjes. Konflikti hyn në vitin e tij të pestë pa një zgjidhje të qartë, dhe sondazhi i Council on Foreign Relations për 2026 e rendit intensifikimin e luftës Rusi-Ukrainë si skenar me probabilitet të lartë dhe ndikim të madh.
Pasojat ekonomike shtrihen përtej zonës së luftës: paqëndrueshmëri e çmimeve të energjisë, ndërprerje në zinxhirët e furnizimit për inpute kritike dhe kosto oportuniteti nga rritja e shpenzimeve ushtarake, me vendet e NATO-s që po synojnë 5% të PBB-së për mbrojtjen. Pasiguria e përgjithshme i shtyn bizneset të shtyjnë investimet kapitale dhe rrit primet e rrezikut për investitorët. Në vitin 2026, ekspertët monitorojnë disa pika të nxehta: Ngushtica e Tajvanit, me presion të vazhdueshëm kinez dhe rrezik të një krize të rëndë që mund të përfshijë SHBA-në dhe fuqitë rajonale; Lindja e Mesme, ku ekziston rreziku i një konflikti të ri Iran-Izrael; provokimet ruse në “zonën gri” kundër vendeve të NATO-s, përfshirë sulme kibernetike dhe sabotime infrastrukturore; Koreja e Veriut, pas testeve të saj më të fuqishme të raketave balistike ndërkontinentale; si dhe Hemisfera Perëndimore, ku operacionet ushtarake të SHBA-së kundër grupeve kriminale transnacionale mund të përshkallëzohen në veprime direkte në Venezuelë. Edhe pa shpërthyer luftë e hapur, pasiguria e zgjatur mjafton për të frenuar investimet, tregtinë dhe rritjen.
Rreziku i tretë buron nga paqëndrueshmëria e tregjeve të energjisë dhe dështimi potencial i tranzicionit energjetik. Një hendek në rritje mes kërkesës për energji elektrike dhe kapacitetit të furnizimit po shndërrohet në kufizim strukturor për rritjen ekonomike. Ngarkesat nga inteligjenca artificiale, qendrat e të dhënave, automjetet elektrike dhe elektrifikimi më i gjerë po rrisin ndjeshëm kërkesën pikërisht në një moment kur rrjetet përballen me infrastrukturë të vjetëruar, procese lejesh të zgjatura dhe kosto komplekse të tranzicionit.
Përmasat e mospërputhjes janë të mëdha: kërkesa për energji elektrike në SHBA pritet të rritet me 662 teravat-orë deri në vitin 2030, ekuivalente me shtimin e prodhimit të kombinuar të Teksasit dhe Kalifornisë në rrjet. Megjithatë, infrastruktura nuk mund të ndërtohet shpejt: projektet e transmetimit kanë vonese mbi pesë vjet, turbinat me gaz natyror kërkojnë 3–4 vjet për dorëzim, ndërsa centralet bërthamore marrin më shumë se një dekadë për t’u ndërtuar. Ndërkohë, normat e vakancës së qendrave të të dhënave kanë rënë në 1–2%, me kapacitete të reja të 75–100% të pararezervuara vite përpara se të hyjnë në funksion. Pasojat janë të prekshme: rritje e çmimeve të energjisë elektrike në zonat ku kërkesa tejkalon ofertën; kosto më të larta operative për bizneset dhe shtyrje ose zhvendosje investimesh.
Një shembull domethënës është Microsoft, që po rinis një reaktor të mbyllur në Three Mile Island me një kosto rreth dyfish më të lartë se kontratat tipike të energjisë, për shkak të mungesës së alternativave më të lira. Nëse edhe korporata të tilla hasin vështirësi për energji bazë të përballueshme, ndërmarrjet më të vogla përballen me zgjedhje edhe më të vështira. Në këtë kontekst, bumi i inteligjencës artificiale, që pritet të nxisë produktivitetin dhe rritjen, rrezikon të kufizohet nga infrastruktura fizike dhe pengesat rregullatore. Tranzicioni energjetik dhe ndërtimi i infrastrukturës digjitale po përplasen me kufij realë, duke e bërë energjinë një nga nyjet kritike të ekonomisë globale në vitin 2026./Përshtati nga Visual Capitalist, ekofin.al

