Kuvendi diskutoi sot, projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për “Përmirësimin e aksesit të barabartë në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet operacionit Govtech”.
Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi tha se, “marrëveshja e huas, parashikon që Shqipërisë t’i akordohet një financim në vlerën 60 milionë euro nga BERZH që do të mundësojë rritjen e aksesit universal në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet teknologjisë (Govtech), përmirësimin e portalit “e-Albania” dhe infrastrukturave mbështetëse të tij, duke sjellë funksionalitete të reja për qytetarët dhe bizneset në përfitimin e shërbimeve publike (të cilat tashmë ofrohen në masën 95 % vetëm online në “e-Albania”)”.
Sipas saj, “objektivat kryesore të zhvillimit të programit janë përmirësimi i qasjes në shërbimet elektronike dhe përvojën e përdoruesit, rritja e aftësive dhe gjithëpërfshirjes digjitale, si dhe forcimi i mundësuesit parësor të Govtech”, tha Ekonomi.
Ajo solli në vëmendje zhvillimin dhe rolin e rëndësishëm që po luan digjitalizimi në vendin tonë.
Ekonomi theksoi se, përmes këtij programi synohet përmirësimi i aftësive digjitale bazë dhe të avancuara të popullatës, nëpërmjet ngritjes së laboratorëve të edukimit informatik (smart labs) në 200 shkolla të vendit, nga 100 që janë aktualisht si dhe 3 qendrave rinore TIK në 10 qytete të vendit ku përfshihen 600 mësues, që do të shërbejnë për avancimin e programeve digjitale dhe të kodimit për fëmijë, me shtrirjen në pjesën më të madhe të vendit.
Sipas Ekonomit, e rëndësishme është edhe mënyra se si do të bashkëveprojnë platformat me qëllim mbrojtjen e të dhënave.
