Monedha evropiane ka prekur këtë të martë pikën më të ulët historike në këmbimin me lekun, në një zhvlerësim që nisi që në fillim të javës, për të vijuar edhe sot, i cili mund të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim të kësaj jave, kryesisht për shkak të efektit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmby me 97.99 lekë, duke zbritur për herë të parë poshtë kufirit prej 98 lekësh. Në përgjithësi në muajt e parë të këtij viti, pasi zhvlerësuar më tej ndaj lekut vitin e kaluar, monedha evropiane kishte fituar një lloj stabiliteti, duke u luhatur në intervalin 98-99 lekë, ndërsa kjo javë ka sjellë një zhvlerësim të mëtejshëm të saj.
Në anën tjetër, edhe dollari vijon të zhvlerësohet ndaj lekut, duke zbritur këtë të martë për herë të parë në 86.54 lekë, kjo ndikuar edhe nga zhvlerësimi i përgjithshëm i monedhës amerikane, si pasojë e politikave të presidentit Trump me tarifat. E vetmja monedhë e fortë që ka fituar terren sot ndaj lekut, edhe pse me një lëvizje shumë të lehtë, është paundi britanik, i cili është këmbyer me 115.2 lekë. Po ashtu edhe jeni japonez është forcuar në këmbimin me lekun.
Nga monedha e tjera të forta, edhe franga zvicerane është zhvlerësuar më tej sot ndaj lekut, edhe pse me vetëm 0.21 pikë, duke zbritur në 104.95 lekë. Ekspertët parashikojnë se këto janë efekte të përkohshme të kursit të këmbimit dhe se menjëherë pas zgjedhjeve, monedha evropiane pritet t’i kthehet normave mesatare të këmbimit, në intervalet mes 98 dhe 99 lekë, por përsëri nuk parashikohet që të kenë ndonjë forcim të konsiderueshëm të saj, për ta ngjitur mbi kuotën e 100 lekëve. /ekofin.al

