Shumë qytetarë besojnë se me shlyerjen e plotë të një kredie hipotekore, barra mbi pronën hiqet automatikisht. Në praktikë, kjo nuk ndodh gjithmonë. Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka kujtuar se, edhe pasi kredia është shlyer plotësisht, hipoteka mund të vazhdojë të figurojë në regjistrat e pasurive të paluajtshme nëse nuk kryhet procedura zyrtare e fshirjes së saj.
Sipas njoftimit të ASHK-së, pronarët duhet të aplikojnë për fshirjen e hipotekës, në mënyrë që të dhënat e pronës të përditësohen dhe kartela e pasurisë të pasqyrojë situatën reale juridike.
Procedura kryhet online përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Aplikim për fshirjen e hipotekës (kontraktore, gjyqësore apo ligjore)”.
Për përfundimin e procedurës kërkohet paraqitja e Aktit Noterial për Fshirjen e Hipotekës, ndërsa në rastet kur aplikimi kryhet nga një person i autorizuar, duhet të dorëzohet edhe prokura ose akti i përfaqësimit.
Moskryerja e kësaj procedure mund të krijojë pengesa në të ardhmen, veçanërisht në rastet kur prona do të shitet, do të dhurohet apo do të përdoret si garanci për një financim të ri. Edhe pse detyrimi financiar ndaj bankës është shlyer, regjistrat zyrtarë mund të vijojnë ta pasqyrojnë pronën si të ngarkuar me hipotekë deri në përfundimin e procedurës së fshirjes.
Njoftimi i ASHK-së synon të ndërgjegjësojë qytetarët që të mos e konsiderojnë të mbyllur procesin vetëm me shlyerjen e kredisë, por të verifikojnë edhe statusin juridik të pronës së tyre në regjistrat kadastralë, duke shmangur vonesa dhe probleme administrative në transaksionet e ardhshme. /ekofin.al
