Në Elbasan do të bllokohet qarkullimi i mjeteve për 2 fundjava rresht në disa nga rrugët e tij kryesore, për shkak se ato do të pastrohen me mjete të specializuara.
Bashkia e Elbasanit ka njoftuar për marrjen e masave të posaçme Policinë Bashkiake, si dhe Drejtorinë e Monitorimit, se në datat 21 qershor 2025 (e shtunë), datë 22 qershor (e diel) dhe datë 28 qershor (e shtunë) nga ora 6: 00 – 18:00 do të duhet të angazhohen për mbarëvajtjen e procesit të pastrimit.
Në shkresën zyrtare specifikohet më konkretisht: në zbatim të ligjeve për vetëqeverisjen vendore dhe transportin rrugor, Bashkia Elbasan njofton se do të realizojë procesin e larjes dhe pastrimit të disa rrugëve me mjete të specializuara. Pastrimi do të zhvillohet:
- Data 21.06.2025
Rruga “Rinia”
Bulevardi “Aqif Pasha”
- Data 22.06.2025
Rruga “28 Nëntori”
Rruga “Ismail Zyma” (pranë spitalit)
- Data 28.06.2025
Rruga “Qemal Stafa” (nga kryqëzimi i luleve deri në unazë)
Rruga “Thoma Kalefi” (nga Bashkia deri në kryqëzimin e Cerrikut)
Ora: Nga ora 06:00 deri rreth orës 18:00, në varësi të përfundimit të punimeve.
Kjo është hera e parë që një bashki vendos të kryejë këto lloj shërbimesh në një interval kohor të papërshtashëm dhe plotësisht paralizues për jetën qytetare dhe të turistëve që vizitojnë Elbasanin gjatë fundjavës.
Praktikat më të mira në Evropë dhe oraret tipike të pastrimit të rrugëve me mjete të specializuara në qytetet kryesore evropiane përfshijnë: Paris, Francë – intervali 04:00–07:00 AM dhe 20:00+ ku qendrat turistike dhe rrugët kryesore pastrohen çdo ditë, edhe në mbrëmje. Në Berlin, Gjermani – ndiqet intervali 04:00–07:00 AM për pastrimin e rrugëve dhe shesheve.
Në Madrid, Spanjë rrugët pastrohen në intervalin 06:00–10:00 AM dhe pasdite në zona të ngarkuara. Në Romë orari i pastrimit është zakonisht 02:00–06:00. Të njëjtin orar si Roma ndjek edhe Vjena. Në Amsterdam 05:00–09:00 AM etj.
Në asnjë prej qyteteve evropiane nuk gjendet praktika e bllokimit të rrugëve për qëllime pastrimi, sepse pavarësisht rëndësisë që ka një qytet i pastër dhe i mirëmbajtur, paralizimi i jetës qytetare dhe qarkullimit të mjeteve nuk mund të jetë proporcional. /ekofin.al


