Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se nga dita e djeshme dhe deri më 15 janar ka nisur një proces të posaçëm monitorimi në tregun e mallrave të shportës, me fokus të veçantë periudhën e festave të fundvitit. Ky monitorim synon të verifikojë ecurinë e çmimeve dhe sjelljen e ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, në mënyrë që të parandalohet çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo e marrëveshjeve të ndaluara mes distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve.
Sipas njoftimit zyrtar, vëmendja e Autoritetit është përqendruar te mallrat bazë të shportës së konsumatorit, konkretisht makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike, produkte këto që tradicionalisht shënojnë rritje të ndjeshme të kërkesës dhe, shpesh, edhe të çmimeve gjatë fundvitit.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal. Në këtë kuadër, institucioni u bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në tregjet përkatëse të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo sjellje që cenon funksionimin normal të tregut.
Megjithatë, sipas një verifikimi të kryer nga Ekofin.al, kjo procedurë e përvitshme, ndonëse e rëndësishme në parim, rrallëherë është shoqëruar me rezultate konkrete që bëhen publike. Prej vitesh, pas njoftimeve të ngjashme në prag të festave të fundvitit, nuk janë publikuar raporte të detajuara mbi gjetjet e monitorimit: sa kontrolle janë kryer në terren, cilat subjekte janë konstatuar në shkelje, çfarë masash janë marrë apo sa gjoba janë vendosur. Kjo mungesë transparence ka bërë që monitorimet festive të perceptohen më shumë si një formalitet institucional sesa si një instrument real mbrojtjeje për konsumatorin.
Ndërkohë, sinjalet nga tregu tregojnë se presioni mbi çmimet ka nisur tashmë. Raportimet që Ekofin.al ka marrë nga qytetarët dhe rasti i publikuar së fundmi në media, ku një supermarket i rrjetit Big Market ekspozonte një çmim në raft dhe faturonte një tjetër në kasë, janë shembuj konkretë të praktikave që dëmtojnë drejtpërdrejt konsumatorin dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm institucional.
Në situata të tilla, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Autoritetin e Konkurrencës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, inspektoratet e tregut dhe strukturat e tjera mbikëqyrëse, të financuara nga taksat e qytetarëve, duhet të jenë po aq të pranishme, të shpejta dhe të bashkërenduara për të garantuar një mbrojtje reale të konsumatorëve, veçanërisht në periudhën më të ndjeshme të vitit nga pikëpamja e shpenzimeve familjare.
Nëse institucionet synojnë të rikthejnë besimin e publikut dhe të dëshmojnë efektivitet, monitorimi i çmimeve të shportës nuk mund të mbetet vetëm në nivel paralajmërimesh të përgjithshme. Ai duhet të shoqërohet me transparencë, raportim të detajuar dhe rezultate të matshme, në mënyrë që tregu të kuptojë se rregullat zbatohen dhe konsumatori mbrohet realisht, jo vetëm në letër. /ekofin.al
