Platforma e‑Albania vijon të mos jetë funksionale edhe sot, pas problemeve të përsëritura të ditëve të fundit, duke shkaktuar bllokim të një sërë shërbimesh thelbësore për bizneset dhe qytetarët. Mosfunksionimi i njëkohshëm ose periodik i sistemeve kryesore digjitale po kthehet në një problem për marrëdhënien mes sektorit privat dhe administratës publike.
Në këtë kontekst, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si një shqetësim serioz për funksionimin normal të aktivitetit ekonomik. Sipas APL-së, rënia ose mosfunksionimi i platformave kyçe online për shërbimet ndaj biznesit dhe profesionistëve, të integruara me e-Albania, krijon pasiguri juridike dhe ndërprerje të drejtpërdrejta të proceseve ligjore dhe administrative.
Këto platforma përbëjnë sot infrastrukturën bazë për regjistrime, deklarime, aplikime, pagesa dhe përmbushje detyrimesh ligjore. Ndërprerja e tyre, qoftë edhe për periudha të shkurtra, sjell vonesa procedurale, rrezik penalitetesh, si dhe kosto shtesë për bizneset dhe profesionistët e lirë, të cilët janë bërë pothuajse plotësisht të varur nga shërbimet digjitale publike.
Sipas reagimit të APL-së, situata aktuale ngre pikëpyetje të drejtpërdrejta mbi qëndrueshmërinë teknike të sistemeve shtetërore, menaxhimin e riskut operacional, kapacitetet e back-up-it dhe redundancës, si dhe mbi mënyrën e komunikimit institucional në raste emergjente. Mungesa e informacionit të qartë mbi shkaqet e ndërprerjeve dhe kohëzgjatjen e tyre e përkeqëson më tej pasigurinë për përdoruesit.
Në këtë kuadër, Aleanca e Profesionistëve të Lirë vlerëson si të domosdoshme rritjen e transparencës institucionale mbi problemet teknike, forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sistemeve digjitale, si dhe parashikimin e procedurave alternative për rastet kur platformat nuk funksionojnë. Një tjetër kërkesë thelbësore lidhet me shtyrjen automatike të afateve ligjore dhe fiskale, për të shmangur penalizimin e subjekteve që objektivisht nuk kanë mundësi të përmbushin detyrimet e tyre për shkak të mosfunksionimit të sistemeve.
APL thekson gjithashtu nevojën për komunikim të qartë, të shpejtë dhe të strukturuar me përdoruesit, në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet dhe pasojat ligjore që burojnë nga paqartësia.
Digjitalizimi i shërbimeve publike konsiderohet një arritje e rëndësishme për administratën shqiptare, por sipas APL-së ai kërkon investim të vazhdueshëm, testim rigoroz dhe një qasje serioze ndaj riskut operacional. Pa këto elemente, varësia e lartë nga sistemet online mund të kthehet në një pikë dobësie për ekonominë dhe funksionimin normal të tregut.
Në përfundim, Aleanca u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që ta trajtojnë situatën me prioritet dhe në dialog të drejtpërdrejtë me komunitetin e biznesit dhe profesionistëve të lirë, për të garantuar shërbime publike digjitale të besueshme, funksionale dhe të qëndrueshme. /ekofin.al
