Rritet ndjeshëm sipërfaqja dhe numri i lejeve të ndërtimit të dhëna në kryeqytet, në 3-mujorin e dytë të vitit 2023. Sipas të dhënave të bëra publikenga INSTAT, për periudhën mars-qershor në Tiranë u dhanë rreth 461 mijë metra katrorë sipërfaqe për ndërtim, thuajse dyfishi krahasuar me 3-mujorin parardhës. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rritja është 18.7%. Të dhënat historike tregojnë se në tremujorin e dytë është dhënë sipërfaqja më e lartë ndonjëherë për këtë periudhë.
Në 6 muajt e parë të vitit, në Tiranë është dhënë rreth 62% e sipërfaqes së akorduar për të gjithë vendin. Sipas njoftimit të INSTAT, Në tremujorin e dytë 2023 janë miratuar gjithsej 509 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 339 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një rritje prej 50,1%. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2023, është 652.136 m 2, nga 661.945 m 2 miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 1,5%.
Në tremujorin e dytë 2023, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 24,4 miliardë lekë, nga 25,9 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2022, duke shënuar një ulje prej 5,8%.
