Rreth 800 biznese kanë aplikuar vetëm gjatë javës së parë pas hapjes zyrtare të aplikimeve për programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke treguar një interes të lartë të sipërmarrjeve për instrumentin e ri të financimit të investimeve.
Programi synon të lehtësojë aksesin në kredi për bizneset që kërkojnë të zgjerojnë aktivitetin, të blejnë makineri dhe teknologji të reja apo të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese dhe të shërbimit.
Aplikimi tashmë nis online, përmes një platforme të automatizuar të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, e aksesueshme në portalin e-Albania. Biznesi duhet të kërkojë shërbimin “Shprehje interesi për ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’”, të plotësojë të dhënat bazë të subjektit, përfshirë NIPT-in, dhe të paraqesë konceptin e investimit që kërkon të financojë.
Përmes platformës, sipërmarrja mund të ndjekë edhe statusin e kërkesës dhe fazën në të cilën ndodhet procesi.
Shprehja e interesit nuk nënkupton automatikisht miratimin e kredisë. Ministria asiston bizneset në fazën paraprake dhe në përgatitjen e dokumentacionit, ndërsa kërkesa për financim kalon më pas pranë bankës, e cila kryen vlerësimin sipas procedurave dhe kritereve të kreditimit.
“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” mbështetet në një garanci sovrane, e konceptuar për të lehtësuar aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financim. Programi parashikon kredi deri në 2 milionë euro, me afat maturimi deri në 10 vjet.
Financimi mund të përdoret për investime që lidhen me zgjerimin e aktivitetit, blerjen e makinerive dhe pajisjeve, teknologji të reja dhe rritjen e kapaciteteve të biznesit.
Interesi i lartë i javës së parë vjen pasi programi ka kaluar tashmë edhe në fazën e financimeve konkrete. Sipas të dhënave të bëra publike nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, 20 biznese kanë marrë miratimin për financim dhe 12 prej tyre kanë nënshkruar kontratat e para, me një vlerë të kredive të miratuara prej rreth 296 milionë lekësh.
Investimet e para kanë nisur në Lushnjë, Fier, Berat, Shkodër, Vlorë dhe Tiranë, ndërsa financimet janë orientuar drejt makinerive dhe teknologjive të reja, zgjerimit të kapaciteteve dhe zhvillimit të aktiviteteve në sektorë si bujqësia, prodhimi, transporti dhe hoteleria.
Me hapjen zyrtare të aplikimeve online, programi hyn tashmë në një fazë më të gjerë zbatimi. Për bizneset e interesuara, procedura nis me shprehjen e interesit në e-Albania, vijon me asistencën dhe përgatitjen e dosjes dhe, nëse plotësohen kushtet, kalon në fazën e vlerësimit të financimit nga banka. /ekofin.al
