Nga Ekofin
Durrësi u përmbyt sërish. U përmbyt jo vetëm nga reshjet, por nga një realitet i përsëritur që qyteti duket se nuk po e kapërcen dot. Gjashtë vite pas tërmetit shkatërrues të vitit 2019, Durrësi rezulton përsëri qyteti me dëmet më të mëdha, ndërsa procesi i rindërtimit vazhdon të jetë i papërfunduar, i fragmentuar dhe larg pritshmërive që u krijuan në emër të “rikthimit më të fortë”.
Pamjet e banorëve në kronikat e lajmeve janë bërë të zakonshme: familje që apelojnë për ndihmë, qytetarë që kërkojnë dëmshpërblim, biznese që flasin për humbje të mëdha financiare nga uji që u ka hyrë në dyqane, magazina e ambiente shërbimi. Disa përmendin edhe shifra konkrete dëmesh, por mes gjithë këtij zhurmimi publik mungon një pyetje thelbësore, e cila thuajse nuk artikulohet: pse gjithçka vazhdon të rëndojë vetëm mbi shtetin dhe pse sigurimi i pronës apo i biznesit mbetet ende jashtë debatit?
Në çdo fatkeqësi natyrore në Shqipëri, skenari përsëritet njësoj. Qytetarët presin reagimin e shtetit, qeveria shpall grupe verifikimi, premton ndihma dhe më pas nis një proces i gjatë, i ngadaltë dhe shpesh zhgënjyes. Dëmshpërblimet, kur vijnë, vijnë me vite vonesë dhe pothuajse kurrë nuk mbulojnë dëmin real. Në rastin më të mirë, shteti jep një ndihmë minimale për emergjencën, jo një kompensim të plotë për humbjet e shkaktuara.
Ndërkohë, një alternativë ekziston, por mbetet e nënvlerësuar dhe e neglizhuar: sigurimi i pronës dhe i bizneseve nga rreziqe si zjarri, përmbytjet dhe rreziqet shtesë natyrore. Nëse një banesë apo një biznes është i siguruar, në raste të tilla përmbytjesh, barra financiare nuk bie mbi shtetin dhe as mbi pritjen e gjatë të qytetarëve, por mbi kompaninë e sigurimit. Dëmshpërblimi realizohet në bazë kontrate, brenda afateve të përcaktuara dhe në përputhje me vlerën e dëmit të vërtetuar.
Fakti që shumë pak banorë dhe biznese në Durrës flasin për sigurimin nuk është thjesht një zgjedhje individuale. Është pasojë e një kulture të dobët sigurimi, e mungesës së informacionit, por edhe e një modeli të gabuar pritshmërie, ku shteti shihet si “siguruesi i fundit” për çdo fatkeqësi. Ky model, përveçse i paqëndrueshëm financiarisht, prodhon zhgënjim social dhe varësi të vazhdueshme nga buxheti publik.
Durrësi, një qytet bregdetar, me densitet të lartë ndërtimi dhe ekspozim të shtuar ndaj rreziqeve natyrore, duhet të ishte sot shembulli i një qasjeje të re: rindërtim i përfunduar, infrastrukturë më rezistente dhe një nivel më i lartë sigurimi të pronave dhe bizneseve. Por realiteti tregon të kundërtën. Uji hyn sërish në shtëpi e dyqane, ndërsa debati publik mbetet i ngujuar mes apelit emocional dhe pritjes për ndihmë shtetërore.
Pa një ndryshim kulture, ku sigurimi shihet si pjesë normale e mbrojtjes ekonomike dhe jo si kosto e panevojshme, çdo përmbytje e ardhshme do të sjellë të njëjtin skenar. Dhe Durrësi do të vazhdojë të jetë qyteti i dëmeve më të mëdha, jo vetëm nga natyra, por edhe nga mungesa e përgatitjes për t’u përballur me të.
