Përdorimi i abstenimit konstruktiv dhe i të ashtuquajturave klauzola kalimtare duhet të forcohet për vendimet e Bashkimit Evropian që kanë të bëjnë me çështjet e jashtme dhe zgjerimin, në mënyrë që të shmanget përdorimi i vetos. Ky është sugjerimi i dy eurodeputeteve Kallas Kallas dhe Marta Kos, të projektuara për postet e larta të drejtimit të politikës së jashtme të BE-së dhe zgjerimit.
“Vendimmarrja e BE-së në Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) duhet të jetë më e shpejtë dhe më efikase, duke përfshirë përdorimin e abstenimit konstruktiv, si dhe me votën e shumicës së cilësuar aty ku parashikohet në Traktat,” theksoi Kallas, e cila është emëruar për të zëvendësuar Josep Borrell në krye të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së.
Ish-kryeministrja estoneze argumentoi se rregulli i unanimitetit/përdorimit të vetos mund të “ngadalësojë vendosmërinë dhe aftësinë tonë për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha urgjente”. Ajo përmendi paaftësinë e shteteve anëtare për të lëshuar deklarata të përbashkëta për disa çështje kyçe, duke përfshirë Lindjen e Mesme ose për fonde për ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Ndër zgjidhjet që ajo përshkroi për të lejuar një lëvizje në votimin e shumicës së cilësuar për të rritur efikasitetin e BE-së janë abstenimi konstruktiv, i përdorur në ditët e para të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës nga shtetet anëtare ushtarakisht neutrale, në mënyrë që vendet e tjera të BE-së të mund t’i dërgojnë armë vdekjeprurëse Kievit dhe të ashtuquajturat ‘klauzola kalimtare’ të cilat janë të përfshira në tekstet themeluese të BE-së.
Këto klauzola lejojnë Këshillin Evropian të miratojë një vendim me shumicë të cilësuar në raste specifike për politikat që zakonisht kërkojnë unanimitet.
Kos, kandidatja sllovene e zgjedhur për të drejtuar politikën e bllokut për zgjerimin për pesë vitet e ardhshme, gjithashtu mbështeti përdorimin e klauzolave kalimtare.
“Ne duhet të pranojmë se kërkesa e unanimitet për çdo hap në proces mund të ngadalësojë gjërat nëse edhe vetëm një Shtet Anëtar kundërshton,” tha ajo. “Unë jam gati të kontribuoj në reflektimin sesi procedurat dhe proceset mund të përshtaten dhe përshpejtohen për disa nga hapat e ndërmjetëm në procesin e zgjerimit,” shtoi ajo.
Vende të shumta kandidate janë në pritje të anëtarësimit në BE, përfshirë Shqipërinë, por disa kanë pritur për më shumë se një dekadë, si edhe e kanë humbur mundësinë prej shteteve anëtare që bllokojnë përparimin. Maqedonia e Veriut, për shembull, ka ngecur prej 17 vitesh në rrugën e saj të anëtarësimit, pasi kandidatura evsaj u bllokua fillimisht nga Franca e Holanda, pastaj Greqia dhe aktualisht Bullgaria.
Të dy komisioneret e ardhshme pritet të përballen me sfida në nismën e tyre për të nxitur përdorimin e abstenimit konstruktiv ose klauzolave kalimtare.
Kryeministri hungarez Viktor Orban përsëriti gjatë një konference për shtyp në Parlamentin Evropian në fillim të këtij muaji se ai ishte kundër lëvizjes nga unanimiteti në votimin e shumicës së cilësuar. Ai argumentoi se zëri i vendeve më të vogla anëtare do të mbytej në favor të atyre më të mëdhenjve, si Franca, Gjermania dhe Italia.
Rregulli i shumicës së kualifikuar do të thotë që të paktën 16 shtete anëtare që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së duhet të bashkojnë duart që një vendim të miratohet. Për më tepër, klauzolat kalimtare kërkojnë që unanimiteti të shtrihet, që do të thotë se të 27 shtetet anëtare do të duhet të bien dakord të heqin dorë nga e drejta e vetos individuale në një dosje specifike për të krijuar një klauzolë të tillë. /Përgatiti: ekofin.al
