Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përthithjen e Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik (DSHTD) nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), duke shënuar një riorganizim të rëndësishëm institucional në administrimin e shërbimeve për trupin diplomatik. Vendimi synon unifikimin e funksioneve, rritjen e eficiencës administrative dhe konsolidimin e përgjegjësive shtetërore brenda një strukture të vetme qeveritare.
Sipas vendimit, të gjitha funksionet institucionale që deri më tani kryheshin nga DSHTD do të transferohen dhe do të ushtrohen nga DSHQ, e cila do të marrë përsipër edhe strukturën përgjegjëse për shërbimin e trupit diplomatik.
Ky ndryshim reflektohet edhe në aktet ekzistuese nënligjore, ku emërtimi i Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik zëvendësohet me strukturën përkatëse brenda Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
Vendimi parashikon gjithashtu trajtimin e punonjësve të DSHTD-së në përputhje me nevojat funksionale të DSHQ-së dhe në respekt të plotë të Kodit të Punës.
Procedurat për sistemimin apo trajtimin e tyre duhet të përfundojnë brenda datës 31 dhjetor 2025, duke garantuar pagesën e të gjitha detyrimeve ligjore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës.
Në kuadër të përthithjes, pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme që ishin në administrim të DSHTD-së kalojnë në përgjegjësi të Drejtorisë e Shërbimeve Qeveritare, së bashku me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me to. Po ashtu, dokumentacioni arkivor do të dorëzohet sipas rregullave në fuqi për arkivat shtetërore.
Për të përmbyllur procesin do të ngrihet një komision likuidimi me 7 anëtarë, i cili do të kryejë inventarizimin e pasurisë, përgatitjen e bilanceve të likuidimit, mbylljen e kontratave dhe pasqyrave financiare, si dhe dorëzimin e plotë të dokumentacionit pranë DSHQ-së brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Pas përfundimit të likuidimit, do të procedohet edhe me çregjistrimin e ndërmarrjes në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Shtesë page për punonjësit
Me ndryshimet e strukturës dhe funksioneve, punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare do të përfitojnë edhe shtesë page për kushte pune:
a) Titullari i institucionit në masën 150 000 lekë/muaj;
b) Drejtori në Drejtorinë e Menaxhimit të Godinave Shtetërore, drejtori në Drejtorinë e Udhëtimeve dhe Akomodimit dhe drejtori në Drejtorinë e Eventeve dhe Trajtimit të Personaliteteve, në masën 40 000 lekë/muaj;
c) Shefi i sektorit të udhëtimeve, shefi i sektorit të akomodimeve, shefi i sektorit të projektimit dhe planifikimit të hapësirave, shefi i sektorit të administrimit dhe mirëmbajtjes, shefi i sektorit të mobilimit dhe infrastrukturës së brendshme, shefi i sektorit të godinave qeveritare, shefi i sektorit të ideimit dhe organizimit, shefi i sektorit të zbatimit dhe shefi i sektorit të trajtimit të personaliteteve, në masën 35 000 lekë/muaj;
ç) Shefi i sektorit të shërbimeve të përgjithshme në Kryeministri në masën 50 000 lekë/muaj;
d) Specialisti i udhëtimit, specialisti i akomodimit, specialisti inxhinier, specialisti arkitekt “interior design”, specialisti i restaurimit, specialisti i logjistikës/terrenit, specialisti i organizimit, specialisti i shërbimit në sektorin e trajtimit të personaliteteve dhe specialisti arkitekt projektues, në masën 30 000 lekë/muaj;
dh) specialisti i arkivit dhe protokollit në masën 5 000 lekë/muaj;
e) specialisti në sektorin e godinave qeveritare në masën 25 000 lekë/muaj./ekofin.al
