Koha që duhet për të përfunduar një çështje në Gjykatën e Apelit në Shqipëri mbetet shumë e gjatë, pavarësisht disa përmirësimeve gjatë vitit 2025. Të dhënat e raportit të Këshillit të Lartë Gjyqësor tregojnë se sistemi vijon të jetë nën presion të fortë, sidomos për çështjet civile, ku pritja për një vendim mund të zgjasë me vite.
Sipas treguesit të kohës së nevojshme për evadimin e çështjeve (DT), që mat sa kohë i duhet sistemit për të përpunuar stokun ekzistues, një çështje civile në Apel kërkon mesatarisht 2318 ditë për t’u përfunduar, ose rreth 6.3 vite. Edhe pse kjo përfaqëson një përmirësim me rreth 1 vit, ose 14% më pak krahasuar me vitin 2024, niveli mbetet shumë i lartë dhe tregon se trashëgimia e çështjeve të vjetra vijon të rëndojë mbi sistemin.
Në krahasim, çështjet penale përfundojnë më shpejt, por edhe këtu ka një përkeqësim të lehtë. Koha mesatare për një çështje penale ka arritur në 920 ditë, ose rreth 2.5 vite, duke u rritur me rreth 3 muaj ose 11.8% gjatë vitit 2025. Rritja lidhet kryesisht me shtimin e çështjeve të reja penale, të cilat kanë qenë rreth 15% më shumë se një vit më parë, duke tejkaluar kapacitetin e sistemit për t’i përfunduar ato me të njëjtin ritëm.
Në total, për të gjitha kategoritë e çështjeve, koha mesatare e nevojshme për një vendim në Apel ka arritur në 1507 ditë, ose mbi 4 vite, me një përmirësim modest prej 2.5% krahasuar me vitin 2024. Ky përmirësim vjen kryesisht nga ulja e kohës për çështjet civile dhe nga rritja e numrit të gjyqtarëve, por nuk mjafton për të ndryshuar ndjeshëm situatën në terma realë për qytetarët.
Problemi kryesor mbetet stoku i lartë i çështjeve të pashqyrtuara. Në fund të vitit 2025, në Gjykatën e Apelit ishin në pritje 45,876 çështje, një rritje me 4,176 çështje ose 10% më shumë krahasuar me fillimin e vitit. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në këtë gjykatë dhe tregon se çështjet e reja po shtohen më shpejt sesa po përfundohen.
Struktura e këtij stoku dominohet nga çështjet civile, që përbëjnë 65% të totalit, ndërsa 35% janë çështje penale. Pikërisht çështjet civile janë ato që zgjasin më shumë dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kohës së pritjes për një vendim përfundimtar.
Një nga arsyet kryesore për këtë situatë është mungesa e kapaciteteve, pasi gjykata ka funksionuar me vetëm 41% të numrit të miratuar të gjyqtarëve. Kjo, e kombinuar me rritjen e çështjeve të reja dhe mungesën e mekanizmave efektivë për filtrimin e ankimeve apo përdorimin e zgjidhjeve alternative si ndërmjetësimi, ka rritur presionin mbi sistemin, thekson raporti.
Mosha e backlog-ut
Vjetërsia e çështjeve në Gjykatën e Apelit tregon se një pjesë e konsiderueshme e proceseve po zvarriten prej vitesh, duke thelluar problemin e drejtësisë së vonuar.
Sipas të dhënave për vitin 2025, 12,947 çështje ose 28% e totalit kanë qenë në pritje prej 3 deri në 5 vitesh, nga të cilat 9,509 janë civile dhe 3,438 penale.
Ndërkohë 8,597 çështje ose 19% kanë një vjetërsi prej 2 deri në 3 vitesh, ndërsa 8,246 çështje ose 18% janë në pritje prej 1 deri në 2 vitesh.
Veçanërisht shqetësues mbetet segmenti i çështjeve shumëvjeçare, ku 6,211 raste ose 14% kanë mbi 5 vite në pritje, përfshirë 4,260 çështje civile dhe 1,951 penale.
Këto të dhëna nënkuptojnë se për një qytetar që ndjek një çështje në Apel, pritja për një vendim mund të zgjasë nga disa vite deri në më shumë se gjashtë vite, veçanërisht për çështjet civile. /ekofin.al

