Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon shtyrjen e miratimit të projektligjit “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje”, për të pasur mundësinë e reflektimit të të gjitha shqetësimeve që vijnë nga biznesi dhe që e bëjnë më efikas zbatimin e tij.
Në komentet për draftin nga AmCham dërguar komisioneve parlamentare ngrihet shqetësimi se ndryshimet nuk janë konsultuar me palët e interesuara dhe organizatat e biznesit.
Nëpërmjet projektligjit synohet të përmirësohet menaxhimi i mbetjeve përmes zgjerimit të përgjegjësive të subjekteve prodhuese, por sipas AmCham duhet të trajtohen si pjesë e një ligji të vetëm për menaxhimin e mbetjeve, për të siguruar qartësi dhe konsistencë ligjore. Kjo praktikë është ndjekur edhe në vende të BE-së, ku përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve (PZP) janë pjesë integrale e një ligji kuadër.
“Në gusht 2024, qeveria nxori për konsultim publik projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili përfshinte rregullime për PZP, por në një mënyrë jo shteruese. Ky projektligj u kundërshtua nga palët e interesuara dhe organizatat e biznesit, dhe aktualisht është ende në fazë ri-konceptimi, pa një afat të qartë miratimi. Duke qenë se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mbetet një ligj bazë, ai duhet të miratohet më parë, për të shmangur pasiguri ligjore. Ne sugjerojmë që PZP dhe sistemi i tij duhet të trajtohen brenda këtij ligji dhe jo me një akt të veçantë. Përndryshe, nëse Projektligji PZP miratohet përpara ligjit bazë, ai rrezikon të mbështetet në një kuadër ligjor që mund të ndryshojë ose të shfuqizohet”, theksohet në komentet e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Dhoma Amerikane ka përcjellë edhe përmes Kryetares së Komitetit të Taksave, Alketa Uruçi, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, theksoi se ligji në gjendjen aktuale jo vetëm nuk është konsultuar me organizatat e biznesit, por shfaq disa mangësi teknike që e bëjnë ata të pazbatueshëm dhe për rrjedhojë nuk realizon qëllimin për të ndikuar në ruajtjen e ambientit.
Komente për projektligjin “Për përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje” për Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin; Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisioni për Ekonominë dhe Financat; Komisioni për Çështjet Europiane
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (në vijim referuar si “Dhoma”), duke pasur në themel të misionit të saj të ndihmojë bizneset të punojnë në një klimë të qëndrueshme dhe me konkurrencë të ndershme vijon ta konsiderojë me rëndësi hartimin e Projektligjit “Për Zbatimin e Përgjegjësive të Zgjeruara të Prodhuesit”, siç kemi përmendur në shkresën Nr. 111 prot, datë 7 Dhjetor 2023, drejtuar Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, me objekt “Komente të anëtarëve të Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me Projektligjin “Për Zbatimin e Përgjegjësive të Zgjeruara të Prodhuesit””.
Sjellim në vëmendje që jemi njohur me projektligjin e ri i cili ka pësuar ndryshime të konsiderueshme krahasuar me versionin e mëparshëm. Ky version i depozituar në Kuvend nuk është konsultuar me palët e interesuara dhe organizatat e biznesit. Nga leximi i projektligjit (Projektligji PZP ose Projektligji) vërejmë se dokumenti synon të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve përmes zgjerimit të përgjegjësive të subjekteve prodhuese. Gjithashtu, në projektligj por dhe në relacionin shoqërues, vihet theksi tek përafrimi i pjesshëm me dispozitat e Direktivës 2008/98/KE.
Duke qenë se ky projektligj prek drejtpërdrejt veprimtarinë e shumë prej anëtarëve tanë, si më poshtë po ju përcjellim komentet dhe sugjerimet të cilat kanë për qëllim përmirësimin e tij dhe sigurimin e një zbatimi efektiv.
- Çështje të përgjithshme:
Së pari, projektligji përmend si bazë ligjore mbështetjen në nenin 16, pika 1 të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Në konsultimet e mëparshme publike është theksuar se përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve (PZP) duhet të trajtohen si pjesë e një ligji të vetëm për menaxhimin e mbetjeve, për të siguruar qartësi dhe konsistencë ligjore. Kjo praktikë është ndjekur edhe në vende të BE-së, ku PZP është pjesë integrale e një ligji kuadër.
Në gusht 2024, qeveria nxori për konsultim publik projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, i cili përfshinte rregullime për PZP, por në një mënyrë jo shteruese. Ky projektligj u kundërshtua nga palët e interesuara dhe organizatat e biznesit, dhe aktualisht është ende në fazë ri-konceptimi, pa një afat të qartë miratimi. Duke qenë se ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve, mbetet një ligj bazë, ai duhet të miratohet më parë, për të shmangur pasiguri ligjore. Ne sugjerojmë që PZP dhe sistemi i tij duhet të trajtohen brenda këtij ligji dhe jo me një akt të veçantë. Përndryshe, nëse Projektligji PZP miratohet përpara ligjit bazë, ai rrezikon të mbështetet në një kuadër ligjor që mund të ndryshojë ose të shfuqizohet.
Së dyti, projektligji parashikon në nenin 4 pikën 2 rrymat specifike të mbetjeve të cilat janë subjekt i këtij ligji. Kjo dispozitë në kushtet e parashikuara nuk përcakton qartë çfarë do të konsiderohet ambalazh dhe mbetje e tyre, bateri dhe akumulatorë, automjete në fund të jetës dhe mbetje të pajisjeve elektronike dhe elektrike. Ndërkohë BE ka rregulluar me akte të veçanta detajimin përkatës për menaxhimin e PZP-së për secilën prej 4 rrymave të mbetjeve, përkatësisht:
– Direktiva 84/62/EC e ndryshuar (ambalazhet dhe mbetjet e tyre)
– Direktiva 2012/19/EU e ndryshuar (pajisjet elektronike dhe elektrike)
– Rregullorja 2023/1542 (bateri dhe mbetjet e tyre)
– Direktiva 2000/53/EC e ndryshuar (automjetet në fund të jetës)
Kjo për shkak se trajtimi si dhe skema e duhur për menaxhimin e tyre, përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit është e ndryshme. Kështu, Direktiva nr. 94/62/EC për ambalazhet dhe mbetjet e tyre (e amenduar) krijon guideline për mënyrën se si vendet anëtare do të detajojnë në legjislacionin e brendshëm skemën e përshtatshme për menaxhimin e mbetjeve të kësaj rryme. Në mënyrë specifike, neni 7 i kësaj direktive parashikon se skema më e përshtatshme është ngritja e mekanizmave që produktet e ambalazheve të kthehen dhe mblidhen sërish nga konsumatori dhe të ripërdoren nga prodhuesit. Ndërkaq për automjetet në fund të jetës, sipas nenit 5 të Direktivës 2000/53/EC është parashikuar se kjo rrymë mbetje ka mekanizëm trajtimi më eficent transferimin në pika të autorizuara për trajtimin e kësaj kategorie mbetje (kjo e fundit e detajuar në nenin 2 si subjektet ku këto makina copëtohen nëpërmjet makinerive të posaçme që i copëtojnë ato në fragmente për t’u ripërdorur më tej si skrap metali).
Ndërkohë, trajtimi i të katërta rrymave të mbetjeve në të njëjtin akt, lë të paqartë përkufizimin e tyre si dhe unifikohet skema e menaxhimit të tyre ndërkohë që për shkak të karakteristikave të veçanta të tyre këto rryma kërkojnë metodologji të ndryshme trajtimi. Në këtë formë, ligji nuk është në përputhje edhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 418, datë 27.05.2020 “Për miratimin e Dokumentit të Politikave Strategjike dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, 2020-2035, si dhe nuk është në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian e cila ka një direktivë kuadër (Direktivën 2008/98/EC e ndryshuar) si dhe 4 akte të tjera ligjore që trajtojnë në mënyrë specifike secilën prej rrymave të mbetjeve parashikuar në nenin 4 të ligjit.
Së treti, lidhur me kapitullin IV “Krijimi dhe funksionimi i SHPZP” si dhe të gjitha dispozitat e tjera referuese që lidhen me të duhet të theksojmë se ato janë të paqarta përsa i përket natyrës së aktivitetit që këto subjekte do të ushtrojnë. Është e paqartë, nëse këto subjekte do të marrin përsipër detyrimet e Prodhuesve në shkëmbim të një tarife anëtarësimi dhe më pas do ta ushtrojnë vetë aktivitetin e grumbullimit, trajtimit dhe riciklimit të produkteve sipas rrymave specifike të mbetjeve apo do të kenë përgjegjësi të nivelit menaxherial, raportues, trajnues dhe ndërgjegjësues dhe aktivitetin e grumbullimit, transportimit, trajtimit dhe riciklimit do ta bëjnë nëpërmjet shoqërive të licencuara sipas ligjit për menaxhimin e mbetjeve me lejet dhe licencat përkatëse mjedisore (neni 22). Nëse qëllimi i legjislacionit është që SHPZP-të të zëvendësojnë të gjithë tregun aktual të subjekteve që ushtrojnë veprimtari grumbullimi, trajtimi, riciklimi etj. të mbetjeve për 4 rrymat e mbetjeve sipas nenit 4 të këtij ligji, e gjithë kjo skemë trajtimi të mbetjeve do të binte ndesh me ligjin e konkurrencës. Neni 20 i këtij ligji parashikon se SHPZP do të formohet nga PZP që përfaqësojnë të paktën 25% deri në 70% të sasive të produkteve të hedhura në treg për secilën rrymë mbetjeje. Kjo do të thotë që subjektet që do të kenë të drejtë të ushtrojnë këtë aktivitet do të jenë maksimalisht 4 dhe minimalisht 2.
Ligji nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” parashikon në nenin 4 dhe 9 të tij që të evitohen monopolet dhe abuzimet me këtë pozicion si dhe marrëveshjet vertikale kundër konkurrencës. Në kushtet ku SHPZP-ja (grumbulluesi dhe përpunuesi i mbetjes) do të përbëhet nga anëtarë prodhues, do të krijohej me ligj një marrëveshje vertikale kundër konkurrencës çka shkon ndesh me frymën e ligjit të sipërcituar. Për më tepër, përqendrimi i kësaj veprimtarie të lirë tregtare në subjekte të posaçme do të vinte në shkelje edhe me nenin 11 të Kushtetutës, ekonominë e lirë, lirinë e veprimtarisë tregtare dhe sigurinë juridike.
Së katërti, sistemi PZP të zbatohet edhe për ambalazhet e plastikës dhe qelqit dhe rrjedhimisht neni 26/1 i Projektligjit të ndryshohet duke parashikuar që me hyrjen në fuqi të Kontributit Financiar, dispozitat për taksën e produkteve plastike dhe qelqi dhe ambalazhet prej plastike dhe qelqi të parashikuara në ligjin nr. 9975/2008 “Për taksat Kombëtare” të shfuqizohen.
Së pesti, të përcaktohen qartë personat (prodhues/importues) që janë subjekt i PZP me qëllim shmangien e detyrimit të PZP për të njëjtin artikull gjatë furnizimeve të lëndëve të para apo ndihmëse në ciklin e prodhimit të produktit deri në vënien në treg tek konsumatori final.
II.ANALIZA NEN PËR NEN
1.Neni 4: Në referim të komentit në kapitullin 1 të këtij raporti duhet minimalisht që për secilën nga 4 kategoritë e mbetjeve që janë brenda fushës të këtij ligji të përcaktohet në mënyrë të detajuar se çfarë do të konsiderohet ambalazh apo mbetje e tyre, kur do të konsiderohet që një automjet është në fund të jetës së tij etj. Për këtë mund t’i referohemi përkufizimeve në Direktivat e BE sipërcituar. Nëse ky rregullim do të bëhet nëpërmjet një akti nënligjor, ligji duhet të përmbajë parimet bazë mbi të cilat do të dalë më vonë akti nënligjor.
2.Neni 5: Në nenin 5 parashikohet se PZP-të do të marrin masa nëpërmjet SHPZP-ve që të rikuperohen, ripërdoren ose riciklohen. Kjo dispozitë për qartësi dhe me qëllim që të vijë në përputhje me tërësinë e normave të parashikuara në ligj duhet t’i shtohet në fund “në përputhje me parashikimet e nenit 10 paragrafi 4 të këtij ligji”, Ky i fundit parashikon se për të përmbushur objektivat e parashikuara në nenin 5 dhe dispozitën përkatëse për SHPZP-të, këto të fundit duhet të nënshkruajnë kontrata me grumbullues dhe trajtues të licensuar sipas përcaktimeve të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Në mungesë të këtij referimi (dispozitë e bardhë) legjislacioni mund të krijojë paqartësi lidhur me mangësinë që PZP-të dhe SHPZP-të ta kryejnë vetë procesin e grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve.
3.Sipas paragrafit 7 të nenit 5, përcaktohet se “Duke filluar nga data 1 janar 2026, minimumi i objektivave kombëtarë, që duhen përmbushur për vitin ekzistues, është i barabartë me pjesën që ka prodhuesi në sasitë totale të produkteve PZP të vendosura në treg në vitin paraardhës, të cilat i përkasin të njëjtës kategori mbetjesh për të cilën është subjekt i PZP-ve”.
I njëjti parashikim gjendet edhe në nenin 6.2 /ç të Projektligjit. Kuptimi ynë i kësaj dispozite është se një prodhues që i nënshtrohet ligjit do të duhet të sigurojë si minimum që të mbledhë një sasi mbetjesh aq sa ka futur në treg produkte gjatë vitit paraardhës. Ky objektiv është i pamundur për t’u realizuar. Në vendet e BE ku detyrimi PZP është futur më parë, nuk ka pasur në asnjë rast një objektiv kombëtar në masën 100% të produkteve, aq më pak që objektivi i vendosur të jetë maksimal që vitin e parë. Përkundrazi, vendet e BE kanë vendosur objektiva të ulët me qëllim dhënien e mundësisë prodhuesve, SHPZP por edhe konsumatorëve për t’u ambientuar me rregullat e reja duke rritur objektivat vit pas viti.
Sugjerojmë që objektivat kombëtare minimale të përcaktohen duke nisur nga një nivel i ulët p.sh.: 20% duke u rritur më pas vit pas viti për një periudhë të paktën 1—vjeçare pasi prodhuesit e kanë të pamundur një objektiv 100% për shkaqe që nuk varen nga prodhuesit.
Për më tepër, Dokumenti i politikave strategjike dhe të Planit Kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve, 2020–2035, miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 418, datë 27.5.2020 përcakton objektivat si më poshtë nga paketimet (këto objektiva për vitin 2030 dhe 2035 janë larg nivelit prej 100% që parashikon projektligji):
Minimalisht, Projektligji duhet të referojë tek objektiva minimale kombëtare të vendosura nëpërmjet Planit Kombëtar të sipërpërmendur.
4.Neni 6: Në mënyrë të ngjashme me sa më sipër, edhe në nenin 6 paragrafi 1 germat a, b, c dhe d, duhet të referojnë te dispozita e nenit 10 paragrafi 4 ku përgjegjësitë e grumbullimit, trajtimin, riciklimin, PZP-të ta kryejnë nëpërmjet nënshkrimit të kontratave me grumbullues, trajtues, riciklues të licencuar të mbetjeve sipas përcaktimeve të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
5.Një tjetër mangësi e rëndësishme e Projektligjit është mungesa e qartësisë mbi mënyrën e zbatimit të alternativave të parashikuara në po këtë nen, që lidhen me organizimin e Sistemit PZP.
Aktualisht, parashikohen tre opsione:
- Organizimi individual i sistemit për marrjen mbrapsht, grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve.
- Krijimi i një sistemi kolektiv me subjekte të tjera prodhuese përmes një kompanie të licencuar për këtë veprimtari.
- Formimi i SHPZP për të menaxhuar marrjen mbrapsht, grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve.
Megjithatë, këto alternativa mbeten të pazbatueshme në praktikë, pasi Projektligjit i mungon një rregullim i detajuar mbi funksionimin dhe strukturën e Sistemit PZP. Neni 6, pika 1 përcakton vetëm që subjekti prodhues, i cili hedh për herë të parë në treg produkte PZP, ka detyrimin të krijojë sistemin përkatës, por nuk ofron asnjë mekanizëm të qartë për organizimin dhe funksionimin e tij. Për më tepër, përkufizimi i dhënë në nenin 3 është i paplotë dhe nuk siguron udhëzime të mjaftueshme për zbatimin efektiv të këtij sistemi.
Projektligji nuk ofron një rregullim të qartë për funksionimin e Sistemit PZP, duke e bërë të paqëndrueshëm zbatimin e tij. Mungesa e rregullave bazë për detyrimet e ndërsjella midis prodhuesve, tregtarëve dhe operatorëve të specializuar (SHPZP) lë prodhuesit të ekspozuar ndaj detyrimeve ligjore, pa përfshirë aktorë të tjerë si tregtarët, konsumatorët dhe qeverisjen vendore. Për më tepër, nuk ka një autorizim ligjor për nxjerrjen e akteve nënligjore që do të përcaktonin strukturën dhe funksionimin e Sistemit PZP, çka mund të çojë në paqartësi dhe dështim në zbatim.
Kjo qasje ndryshon nga praktika e mëparshme, ku Sistemi PZP rregullohej përmes akteve nënligjore të nxjerra në bazë të ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Vendime të Këshillit të Ministrave, si ato për paketimet, bateritë, pajisjet elektronike dhe automjetet jashtë përdorimit, përcaktonin kuadrin bazë të Sistemit PZP. Ndryshe nga kjo, Projektligji aktual lë krijimin e Sistemit PZP tërësisht në dorën e prodhuesve, pa parashikuar mekanizma të qartë zbatimi apo bashkëpunimi me aktorët e tjerë të tregut.
Gjithashtu, Projektligji bazohet në dispozitat e ligjit nr. 10463/2011, i cili ka tashmë vendime në fuqi që rregullojnë rrymat specifike të mbetjeve. Kjo krijon një konflikt normash dhe mund të shkaktojë paqartësi ligjore. Një shembull i kësaj problematike është marrëdhënia mes prodhuesve dhe qeverisjes vendore, e cila në ligjin ekzistues përcaktonte detyrime të qarta për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. Për shkak të ndryshimeve në Projektligj dhe faktit që legjislacioni aktual është tejkaluar nga koha, këto dispozita bëhen të pazbatueshme dhe bien në kundërshtim me Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të miratuar në vitin 2020.
Në përfundim, Projektligji nuk siguron një bazë ligjore të fortë për funksionimin e Sistemit PZP, duke krijuar pasiguri në zbatim dhe rrezik për dështimin e tij. Për një qasje më efektive, është e nevojshme që ky sistem të përfshihet në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe të rregullohet përmes akteve nënligjore të qarta.
6.Neni 8: Paragrafi 1 duhet të ndryshohet si vijon me qëllim që të vijë në kohezion me nenin 6 paragrafi 3: “Çdo subjekt prodhues, në cilësinë e zotëruesit të rrymës specifike të mbetjeve, në rast se nuk e organizon vetë ose nëpërmjet një sistemi kolektiv me disa subjekte prodhuese marrjes mbrapsht grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve nëpërmjet një kompanie të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie, regjistrohet në SHPZP sipas rrymës përkatëse për të cilën është subjekt i detyrimeve të PZP.”
7.Neni 10: Neni 10 pika 4 duhet të detajojë më tej llojin e licencave që do të kërkohet për menaxhimin e rrymave të mbetjeve objekt i këtij ligji, duke evituar çdo lloj keqinterpretimi në raport me dispozitën referuese tek ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe duke garantuar trajtimin fundor të secilës rrymë specifike mbetjesh.
8.Neni 13: Bëhet fjalë për një detyrim financiar që rëndon mbi të ashtuquajturit “prodhues”. Sugjerojmë qe projektligji të përmbajë detaje në lidhje me nivelin e detyrimit financiar të tilla që kontributi të jetë i përcaktuar ose i përcaktueshëm.
Fakti që Projektligji parashikon se kontributi financiar i paguar nga subjekti prodhues tek SHPZP mbulon plotësisht kostot për përmbushjen e detyrimeve të tyre PZP si kostot për grumbullimin dhe trajtimin për çdo lloj mbetjeje, përfshirë kostot e eliminimit të tepricave të mbetjeve, kostot operative për veprimtarinë e SHPZP, kostot për komunikimin me publikun dhe aktivitetet për rritjen e ndërgjegjësimit, kostot për investimet në infrastrukturën e mbledhjes së mbetjeve në mënyrë që të mundësohet përzgjedhja e rrymave specifike dhe llojeve të mbetjeve për të cilat është autorizuar SHPZP, e lë të hapur nivelin e detyrimit të prodhuesit në varësi të mënyrës së organizimit dhe kostos së përcaktuar nga SHPZP.
Për më tepër, Projektligji nuk rregullon qartë subjektet që detyrohen të paguajnë kontributin financiar duke lënë hapësirë për mbivendosje të pagesave nga subjekte të ndryshëm për të njëjtin artikull.
Për shembull, nëse një importues i kartonit paguan kontributin dhe më pas edhe prodhuesi që e përdor për ambalazhim e paguan sërish, atëherë kemi taksim të dyfishtë për të njëjtin material, kosto që përfundimisht rëndon mbi konsumatorin.
Ndryshe është rasti kur importohen produkte të ambalazhuara në karton. Në këtë situatë, ky ambalazh hidhet për herë të parë në treg dhe importuesi duhet të paguajë kontribut për sasitë e ambalazhit të kartonit të hedhura në treg.
Për të shmangur taksimin e dyfishtë, zgjidhja e propozuar është që materialet për ambalazhim të diferencohen nga ambalazhet që përfundojnë tek konsumatori. Përgjegjës për sasitë e ambalazhit të hedhura në treg duhet të jetë vetëm prodhuesi që ambalazhon produktet ose importuesi i produkteve të ambalazhuara.
9.Neni 13 dhe neni 26. Për produktet prej plastike ose qelqi dhe ambalazhet plastike/qelqi, kontributi financiar për importuesit e këtyre produkteve mbivendoset me taksën e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve prej plastike/qelqi, të vendosur me ligjin nr. 9975/2008 “Për Taksat Kombëtare”.
Konkretisht, neni 26/1 i projektligjit “Dispozita kalimtare” përcakton se: “Subjektet prodhuese, të cilat, në bazë të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, kanë detyrimin e pagesës së taksës për materiale/artikuj plastike dhe të taksës së ambalazheve prej plastike/qelqi, përjashtohen nga detyrimi i pagesës së kontributit financiar, sipas këtij ligji”.
Aktualisht, sipas ligjit nr. 9975/2008 taksa e artikujve plastike/qelqi dhe ambalazheve plastike/qelqi paguhet si nga prodhuesit vendas ashtu edhe në import. Nuk është e qartë në nenin 26/1 të sipërcituar që importuesit e këtyre materialeve përjashtohen nga pagesa e kontributit financiar për PZP (ky nen referon vetëm tek prodhuesit).
Në këto kushte dhe pa paragjykuar argumentet tona më poshtë, kërkojmë që në nenin 26/1 të shtohen shprehimisht “importuesit që paguajnë në import taksën e materialeve/artikujve plastikë dhe taksën e ambalazheve prej plastike/qelqi, të përjashtohen nga detyrimi i pagesës së kontributit financiar, sipas këtij ligji”.
10.Neni 13 dhe neni 26. Diferencimi i plastikës dhe qelqit është i pajustifikuar
Megjithëse Projektligji siç u përmend më lart përpiqet të shmangë taksimin e dyfishtë të subjekteve që prodhojnë apo importojnë materiale/ambalazhe plastike/qelqi duke i detyruar ata të paguajnë taksën sipas ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008, por jo kontributin financiar për PZP, kjo nuk është zgjidhja e duhur.
Së pari, kjo zgjidhje është në kundërshtim me legjislacionin e BE të cilin ky projektligj synon të harmonizojë;
Së dyti, mbetjet nga plastika përbëjnë një rrymë mbetjesh të konsiderueshme dhe me efekt negativ në mjedis. Nëse këto mbetje mbeten jashtë rregullimit të PZP, atëherë zhvillimi që synon ky projektligj do të ishte minimal.
Theksojmë se sipas relacionit të vitit 2012 që shoqëronte projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975/2008” “Për Taksat Kombëtare” (miratuar me ligjin nr. 83/2012, datë 13.9.2012), taksa e produkteve dhe ambalazheve plastike dhe të qelqit (fillimisht e vendosur si akcizë dhe më pas si taksë kombëtare) i parapriu përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit. Në kushtet kur legjislatori synon të ngrejë një strukturë të re, sistemin PZP, me qëllim marrjen e masave më të forta për mbrojtjen e mjedisit, lënia jashtë e ambalazheve të plastikës dhe qelqit e dëmton thellësisht këtë iniciativë.
Në këto kushte, kërkojmë që neni 26/1 i projektligjit të ndryshohet duke parashikuar që me hyrjen në fuqi të Kontributit Financiar, dispozitat për taksën e produkteve plastike dhe qelqi dhe ambalazhet prej plastike dhe qelqi të parashikuara në ligjin nr. 9975/2008 “Për taksat Kombëtare” të shfuqizohen.
11.Neni 15: Neni 15, pika 1 i Projektligjit parashikon bashkëpunimin mes SHPZP-ve dhe njësive të vetëqeverisjes vendore për financimin e përbashkët të infrastrukturës për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. Konkretisht neni 15 ne piken 1 parashtron: “SHPZP-ja bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe financojnë së bashku infrastrukturën për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, ku përdoruesit e fundit dorëzojnë mbetjet pa pagesë, pa rënë ndesh me parashikimet e legjislacionit në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe për vetëqeverisjen vendore.”
Megjithatë, kjo dispozitë nuk përfshin dy alternativat e tjera të organizimit të Sistemit PZP, duke krijuar një trajtim të pabarabartë dhe duke dëmtuar konkurrencën. Kjo qasje penalizon prodhuesit që zgjedhin të menaxhojnë individualisht detyrimet e tyre ose të bashkëpunojnë me subjekte të tjera jashtë SHPZP-ve.
Gjithashtu, neni 15 mbështetet në një ligj të tejkaluar për menaxhimin e mbetjeve (ligji nr. 10463/2011), çka mund të krijojë pasiguri ligjore dhe ta bëjë Projektligjin të pazbatueshëm. Neni në fjalë i referohet bashkëpunimit midis SHPZP dhe njësisë se qeverisjes vendore, në baza kontraktuale, pra një marrëveshje ku do të përcaktohen detyrimet dhe të drejtat e ndërsjellta të palëve. Me anë të këtij bashkëpunimi, sipas nenit 15 pika 1, “SHPZP-ja dhe njësia e vetëqeverisjes vendore financojnë së bashku infrastrukturën për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve.”
Për më tepër, duke parashikuar marrëveshje kontraktuale mes SHPZP-ve dhe njësive të qeverisjes vendore, pa qartësuar nëse financimi i tyre klasifikohet si fond publik, ekziston rreziku që këto marrëveshje të bien ndesh me ligjin për prokurimet publike dhe mbrojtjen e konkurrencës. Kjo mund të çojë në krijimin e një oligopoli të SHPZP-ve, duke kufizuar tregun dhe duke vënë në disavantazh aktorët e tjerë të sektorit.
12.Neni 15 paragrafi 3. Kjo dispozitë parashikon se në kontratën specifike me njësinë e vetëqeverisjes vendore mund të përcaktohet se SHPZP-ja të në bazë të autorizimit të përcaktojë vetëm ose së bashku me njësinë e vetëqeverisjes vendore, funksionimin e skemës së menaxhimit të mbetjeve ku do të përcaktohen. Kjo kontratë mund të përcaktojë që ngritja dhe funksionimi i skemës së PZP të kryhet vetëm nga SHPZP për atë rrymë mbetjesh që ka autorizim, vetëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore, ose të dyja së bashku. Së pari, kjo pikë e ligjit bie ndesh me dispozitat 6, 8 dhe 10 më sipër pasi skema lejon që secili PZP ti mbart përgjegjësitë e tij pa u bërë pjesë e një skeme SHPZP. Nga ana tjetër, dispozita parashikon në pikën 4 se në kontratën mes palëve, do të përcaktohet rryma specifike e mbetjeve, numri i popullsisë për zonën ku ofrohet shërbimi, vendndodhja e mbetjeve si dhe periodiciteti i ofrimit të shërbimit, kushtet për bashkëfinancimin e infrastrukturës për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve. Kjo dispozitë bie ndesh me një ligj të posaçëm atë të Prokurimit Publik, pasi përtej argumentit të parashtruar në kapitullin 1 të këtij raporti lidhur me shkeljen e konkurrencës së lirë, në asnjë rast nuk duhet që me ligj të parashikohen kush do të jenë subjektet që do të ofrojnë shërbime publike me kontrata direkte pa garë si dhe pa bërë asnjë analizë për kapacitetet teknike të secilës SHPZP për ta ofruar shërbimin përkatës.
KONKLUZION
Për arsyet e parashtruara më lart, jemi të mendimit që Projektligji në fazë miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë duhet të mos miratohet në formën e tij aktuale.
Rekomandimet tona në mënyrë te përmbledhur janë si më poshtë:
(i)Projektligji të mos miratohet dhe të rifillohet një bashkëpunim për rikonceptimin e tij me palët e interesuara (prodhuesit dhe me gjerë). Lipsen studime dhe politika të studiuara mirë për të krijuar Sistemin PZP me të volitshëm për çdo rryme. Projektligji të miratohet njëherazi me ligjin e ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
(ii)Dispozitat e Projektligjit të bëhen pjesë e ligjit të ri për menaxhimin e integruar te mbetjeve. Praktikat më të mira ne BE, tregojnë që sistemi/përgjegjësitë PZP janë pjesë e një kuadri ligjor më të madh. Një qasje e tillë, do të ndihmonte në qartësinë e përgjegjësive mbi prodhuesit si dhe do të bënte transparence.
(iii)Nëse Projektligji do të miratohet, duhet të përmbajë autorizime ligjore për miratimin e akteve nënligjore që do të rregullonin sistemin PZP për çdo rrymë. Siç treguam më lart, aktualisht Projektligji në mangësi të autorizimit ligjor do të ishte i pazbatueshëm. Autorizimi ligjor për nxjerrjen e akteve nënligjore duhet te ketë një afat te arsyeshëm që shkon përtej 1 qershorit 2026. Kjo do t’u jepte mundësi palëve të interesuara të paraqesin studime apo propozime për ngritje të sistemeve sa më efikase të PZP. Sugjerimi është që të akordohet një afat prej 2 vitesh nga data e miratimit të ligjit.
(iv)Sistemi PZP të zbatohet edhe për ambalazhet e plastikës dhe qelqit dhe rrjedhimisht neni 26/1 i projektligjit të ndryshohet duke parashikuar që me hyrjen në fuqi të Kontributit Financiar, dispozitat për taksën e produkteve plastike dhe qelqi dhe ambalazhet prej plastike dhe qelqi të parashikuara në ligjin nr. 9975/2008 “Për taksat Kombëtare” të shfuqizohen.
(v)Të përcaktohen qartë personat (prodhues/importues) që janë subjekt i PZP me qëllim shmangien e detyrimit të PZP për të njëjtin artikull gjatë furnizimeve të lëndëve të para apo ndihmëse në ciklin e prodhimit të produktit deri në vënien në treg tek konsumatori final. /monitor
