Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ripunuar “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 34/2019, për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara”, i cili synon një riformatim të rëndësishëm të rolit dhe kompetencave të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK). Ndryshimet e propozuara reflektojnë rritjen e ndjeshme të volumit dhe kompleksitetit të pasurive që kalojnë në administrim të shtetit, si dhe nevojën për një menaxhim më efikas, më të shpejtë dhe më transparent.
Thelbi i projektligjit qëndron në zgjerimin e objektit të ligjit, duke përfshirë jo vetëm pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara me vendime të organeve të drejtësisë, por edhe ato që burojnë nga akte të organeve administrative dhe të pushtetit vendor. Në këtë kategori hyjnë në mënyrë të posaçme ndërtimet pa leje, të cilat deri më tani kanë qenë një nga problematikat më të ndërlikuara në aspektin e administrimit dhe destinacionit final të tyre.
Një risi e rëndësishme e projektligjit është krijimi i një “Fondi të posaçëm të dedikuar për ndërtimet pa leje”, i cili do të përdoret për administrimin, zhvillimin apo përdorimin e këtyre pasurive pasi ato të kenë kaluar në administrim të AAPSK-së. Sipas relacionit shpjegues, ky mekanizëm synon që pasuritë e konfiskuara të mos mbeten asete pasive, por të rikthehen në funksion të interesit publik dhe komunitetit, përmes përdorimeve sociale, ekonomike apo institucionale .
Projektligji adreson gjithashtu një realitet relativisht të ri për sistemin shqiptar të konfiskimeve: përfshirjen e kriptomonedhave si pasuri e luajtshme që mund të sekuestrohet apo konfiskohet. Administrimi i monedhave virtuale ka rezultuar një sfidë praktike për institucionet, ndaj ndryshimet ligjore synojnë të krijojnë bazën për akte nënligjore që do të përcaktojnë rregullat e ruajtjes, vlerësimit dhe shitjes së tyre.
Një nga ndryshimet më domethënëse lidhet me procesin e shitjes së pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Projektligji parashikon që procedurat e shitjes të kryhen drejtpërdrejt nga AAPSK, pa ndërmjetësimin e institucioneve të tjera, duke e konsideruar këtë hallkë si pjesë integrale të ciklit të plotë të administrimit. Argumenti kryesor është se përqendrimi i përgjegjësisë në një institucion të vetëm do të reduktojë vonesat, do të shmangë duplikimet institucionale dhe do të rrisë efikasitetin financiar, duke përshpejtuar kalimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe fondet e posaçme.
Ndryshimet prekin edhe strukturën e shpenzimeve për administrimin e pasurive, duke parashikuar mbulimin e çdo shpenzimi të domosdoshëm për pasuri të veçanta si ndërtimet pa leje apo pasuritë në masë “sekuestro”, për të cilat nuk mund të parashikohet paraprakisht natyra e problematikave apo kostove. Relacioni thekson se këto shpenzime mbulohen nga të ardhurat e vetë agjencisë, të gjeneruara nga qiratë, shitjet apo burime të tjera, pa krijuar barrë shtesë për buxhetin e shtetit.
Sipas dokumentit shoqërues, projektligji është i ndërtuar mbi nevoja konkrete të administrimit publik dhe forcimit të interesit shtetëror në menaxhimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme. Institucionet kryesore përgjegjëse për zbatimin e tij do të jenë Ministria e Punëve të Brendshme dhe AAPSK, ndërsa projektligji është hartuar në bashkëpunim me disa ministri linje. /ekofin.al
