Ministria e Financave dhe Ekonomisë nxori për konsultim publik draftligjin “Për amnistinë fiskale dhe penale të subjekteve që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, i cili lejon deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro. Tatimi i përcaktuar në draftligj për vlerëne deklaruar është 7-10 %.
Ky ligj përcakton rregullat, garancitë, veprimet e subjekteve që përfitojnë nga procesi i deklarimit vullnetar të pasurive, kompetencat e organeve të administratës publike dhe organevejopublike, që marrin pjesë në këtë proces, si dhe veprimtaritë e lidhura me këtë proces.
Subjekte të këtij ligji janë individët shtetas të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nëse janë residentë tatimorë ose jo në Republikën e Shqipërisë, personat fizikë dhe juridikë, tatimpagues rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si dhe individët rezidentë tatimorë në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht shtetësisë së tyre.
Subjekte përfituese të këtij ligji janë subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, që kanë kryer procesin e deklarimit vullnetar dhe janë pajisur me vërtetimin e përfundimit të procesit të deklarimit të pasurive, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Ligji përcakton në nenin 6 kufirin për deklarimin vullnetar.
Në pikën 1 te nenit 6 përcaktohet se pasuria që lejohet të deklarohet vullnetarisht sipas parashikimeve të këtij ligji nuk duhet të kalojë vlerën maksimale 2 000 000 (dy milionë) euro.
Për personat në përbërje të certifikates familjare, pasuria që lejohet të deklarohet sipas parashikimit të pikës 1, është tërësia e deklarimeve vullnetare të kryefamiljarit ose çdo personi madhor, bazuar në të dhënat e certifikatës familjare sipas përbërjes që rezulton e dokumentuar deri me datë 1.1.2022.
Në nenin 7 përcaktohen edhe subjektet që përjashtohen nga amnistia .
Këtu përfshihen të gjitha subjektet që kanë detyrimin ligjor për deklarimin e pasurisë, në zbatim të ligjit, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe personat në përbërje të certifikates familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Po ashtu përjashtohen subjektet, të cilat kanë qenë mbajtëse të detyrave apo të funksioneve sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij neni, si dhe personat në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën 01.01.2022, subjektet e ligjit nr.10192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, të ndryshuar, si dhe personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të parashikimeve të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, të ndryshuar.
Draftligji përjashton edhe subjektet për të cilët ka filluar procedura penale për evasion në fushën tatimore dhe doganore dhe subjektet të cilët janë verifikuar në përputhje me parashikimet e aktit normativ nr.1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, miratuar me ligjin nr.18/2020.
Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë dhe legalizojnë vullnetarisht burimin e të ardhurave të përdorur për krijimin e pasurisë së luajtshme apo të paluajtshme që duhen apo janë regjistruar në regjistra publik, burime këto të pa deklaruara më parë.
Në nenin 16 të draftligjit përcaktohet edhe norma e tatimti mbi deklarimin.
Në rastet e deklarimit vullnetar të shumave në të holla dhe të depozitimit të tyre në llogaritë bankare, banka apo institucioni financiar mban një tatim të posaçëm prej:
a) 7 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në 4 muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
b) 10 për qind të shumës totale të deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas 5 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Nëse subjektet që kanë bërë deklarimin vullnetar të shumave në të holla nëpërmjet depozitimit të tyre në llogari bankare, vendosin ti investojnë shumat e deklaruara në tituj shtetërorë, bono thesari apo obligacione jo më të vogla se 2 vjeçare, Banka e Shqipërisë në rolin e Agjentit Fiskal, mban një tatim të posaçëm prej:
i) 5 për qind të shumës totale për invetime të bëra në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
ii) 7 për qind të shumës totale për invetime të bëra pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Në rastet e deklarimit vullnetar të pasurive të tjera të luajtshme apo të paluajtshme të deklaruara vullnetarisht pranë Njësisë, tatimi i posaçëm paguhet, si më poshtë vijon:
a) 7 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit;
b) 10 për qind të vlerës së deklaruar, për deklarime dhe pagesa të kryera pas katër muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.