Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hedhur në konsultim publik një projektligj për parandalimin dhe mbrojtjen ndaj dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, i cili për herë të parë trajton në mënyrë të detajuar dhunën e lehtësuar nga teknologjia dhe dhunën ndaj grave në politikë, duke përafruar legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian dhe Konventat Ndërkombëtare të Punës.
Dhuna digjitale: nga gjuha e urrejtjes te keqpërdorimi i imazheve intime
Sipas Nenit 10 të projektligjit, dhuna e lehtësuar nga teknologjia përfshin çdo veprim apo sjellje të ushtruar përmes rrjeteve sociale, aplikacioneve apo pajisjeve elektronike pa pëlqimin e viktimës, që mund të shkaktojë dëm fizik, psikologjik apo social. Kjo formë dhune përfshin gjuhën e urrejtjes online, keqpërdorimin e imazheve intime pa pëlqim, përndjekjen dhe ngacmimin digjital, duke e konsideruar hapësirën virtuale si një mjedis real dhune.
Projektligji u jep autoriteteve të drejtën të urdhërojnë heqjen e përmbajtjeve kërcënuese apo ofenduese, bllokimin e llogarive brenda 12–24 orësh, si dhe dorëzimin e pajisjeve apo materialeve digjitale të përdorura për përndjekje. Po ashtu, ndalohet publikimi i të dhënave personale apo imazheve intime dhe parashikohet që autorët të detyrohen të publikojnë përgënjeshtrime ose falje publike.
Dhuna ndaj grave në politikë: mbrojtje për pjesëmarrjen publike
Projektligji trajton në mënyrë të veçantë dhunën ndaj grave në politikë, e cila përfshin çdo sjellje verbale ose joverbale që cenon dinjitetin dhe krijon mjedis armiqësor apo poshtërues gjatë ushtrimit të funksioneve publike. Kjo dhunë mund të shfaqet në partitë politike, në veprimtari parlamentare apo gjatë fushatave elektorale.
Për mbrojtje, ligji parashikon masa si ndalimi i çdo kontakti fizik apo digjital mes autorit dhe viktimës, heqja e materialeve ofenduese brenda 12 orësh, si dhe pezullimi i autorit nga fushata deri në 30 ditë. Në raste të rënda, mund të vendoset mbrojtje policore e përkohshme dhe ruajtje e provave digjitale, ndërsa ndjekja penale mbetet e mundshme kur plotësohen elementet e fyerjes apo kërcënimit.
Raportimi dhe urdhrat e mbrojtjes
Projektligji forcon mekanizmat e raportimit të dhunës. Viktimat mund të drejtohen pranë policisë, njësive të vetëqeverisjes vendore, qendrave shëndetësore, shërbimeve sociale apo institucioneve për të drejtat e njeriut.
Ligji njeh tre lloje urdhrash: UMPMM – urdhri për masa paraprake të menjëhershme, lëshohet nga policia; UMM – urdhri i mbrojtjes së menjëhershme; UM – urdhri i mbrojtjes, të dy lëshohen nga gjykata.
Këta urdhra zbatohen për rastet e dhunës në familje, në punë, ndaj grave në politikë apo në mjedisin digjital.
Gjobat dhe sanksionet
Për të garantuar zbatimin e vendimeve gjyqësore, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) do të vendosë gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë për çdo 24 orë vonesë në rastet e mosheqjes së përmbajtjeve që lidhen me imazhet intime pa pëlqim, përndjekjen apo gjuhën e urrejtjes online.
Për rastet e ngacmimit digjital, gjoba varion nga 30 000 deri në 300 000 lekë për çdo 24 orë vonesë.
Në rastet kur viktima nuk merr përgjigje brenda 12 orësh nga administratorët e faqeve online, ajo ose Mekanizmi i Koordinuar i Referimit (MKR) mund t’i drejtohet AKEP-it ose AMA-s, të cilat urdhërojnë heqjen ose bllokimin e përmbajtjes brenda 12 orësh, me regjistrim të rastit në Regjistrin Kombëtar të Dhunës Digjitale. /ekofin.al
