Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor apeloi të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor.
DPSHTRR bëri të ditur se nëse drejtuesi i mjetit humbet të gjitha pikët, do të rikthehet në autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë duhet të rifitojë patentën.
Patenta, sipas DPSHTRR-së, rifitohet vetëm nëse drejtuesi i mjetit ka 3 ose më pak gabime në pyetësorin me 30 fjali, si edhe nëse kalon në testin e praktikës.
Sipas DPSHTRR-së, sot ishte hera e dytë e testimit për norma sjellje, për ata shkelës të rëndë të rregullave të qarkullimit që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë.
“Nga 18 persona të riregjistruar, u paraqitën vetëm 5 dhe që të 5-të u rrëzuan në testin e teorisë, çka i ridërgon ata nga e para në autoshkollë për t’u ripërgatitur, dhe për t’u riparaqitur për testim brenda një afati 30-ditor (me vetëm 1 mundësi prove). Personat kishin marrë leje drejtimi për herë të parë në vitet: 1994, 2007, 2010, 2014 dhe 2019”, informoi DPSHTRR.