Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përmes një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë të ditur se qendrat e kontrollit Teknik në Tiranë, ajo te ish-NSHRAK dhe tjetra në Fushë-Prezë, në datat 22 shkurt 2025, 1 mars dhe 8 mars 2025 nuk do të ofrojnë shërbim.
DPSHTRR nuk bën të ditura arsyet për mosofrimin e shërbimit, që përkon me tre ditë të shtuna.
Qendrat e kontrollit Teknik janë përballur me një fluks të lartë kërkesash për kontrollin e mjeteve. Për vitin 2024 u testuan gjithsej 428, 139 mjete, nga të cilat 151, 659 mjete ose 35.4% e testimeve vetëm në Tiranë.
Numri i mjeteve të ngelura/refuzuara rezultoi në 132,714 dhe 121,852 u ritestuan pas rregullimeve. Ndërkohë numri i mjeteve ngelur në pritje për t’u paraqitur pas rregullimeve është 10,560 të tilla, një numër ky i konsiderueshëm.
Arsyet e ngeljes në testim kanë qenë kryesisht 46% për defekt vizual, 27% për systemin e shkarkimit të gazrave, 14% për systemin e drejtimit (sospensione) ndërsa 13% sistemi i frenimit. /ekofin.al