Numri i aksidenteve shënoi rënie përgjatë 11 muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave të DPSHTRR, ndërkohë që INSTAT ka raportuar për rritje.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja bëri të ditur se rol kryesor në rënien e numrit të aksidenteve luajti përgatitja e kandidatëve në autoshkolla, programet e aktivitetet edukative e ndërgjegjësuese, reformimi i akteve rregullatore e masat ndëshkuese, si dhe investimet në infrastrukturë e sinjalistikë.
“Të dhënat e 11-mujorit dhe projeksionet tregojnë vitin më pozitiv sa i takon numrit të aksidenteve. Kemi rënie të numrit të aksidenteve, rënie të indeksit përfshirje drejtuesi mjeti për numër drejtuesash mjeti/numër mjetesh rrugore në qarkullim, ulje të shkaktarëve të aksidenteve të moshave 18-24 vjeç e deri 34 vjeç, ulje të fataliteteve, rënie të numrit të të lënduarve nga aksidentet dhe rritje të sigurisë rrugore për të gjithë përdoruesit e rrugës”, tha Gonxhja.
Sipas tij, statistikat tregojnë qartë se puna shumë më e mirë me kualifikimin e drejtuesve të rinj të mjeteve, programet e aktivitetet edukative e ndërgjegjësuese, reformimi i akteve rregullatore e masat ndëshkuese, investimet në infrastrukturë e sinjalistikë po sjellin rezultate të prekshme.
“Sot ndërsa kemi rritje të jashtëzakonshme të përdoruesve të rrugës në shoferë, pasagjerë dhe mjete rrugore, por edhe në pedalues e këmbësorë, kemi gjithnjë e më pak aksidente dhe viktima”, tha ai.