Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka bërë publike detaje të reja sa i përket mjeteve debitore, që nuk kanë paguar taksat vjetore. Përmes një njoftimi, DPSHTRR u kujton qytetarëve rolin e saj si agjent tatimor dhe u bën thirrje pronarëve të mjeteve të paguajnë detyrimet, pasi mospërmbushja e tyre, sjell edhe disa penalizime.
Sipas të dhënave, 256,741 mjete rezultojnë debitore nga kontrolli në Regjistrin Kombëtar të Mjeteve.
Qarku me numrin më të lartë të debitorëve është Tirana me 100,453, e ndjekur nga Durrësi me 35,153 dhe Shkodra me 17,881.
Sa i përket natyrës së debitorëve, individët me 84% përbëjnë numrin më të lartë të debitorëve pasuar nga subjektet me 16% të totalit.
Si kryhet mirëmenaxhimi i nivelit të debisë nga pagesat e vonuara të taksës vjetore për mjetet e përdorura dhe të luksit?
DPSHTRR përdor një plan masash parandaluese dhe ndaluese të mirëpërcaktuara, duke kombinuar njoftime shkresore me frekuencë mujore nga Drejtoritë Rajonale përgjegjëse, si dhe njoftime digiitale përmes a-Albania mbi përfundimin e afatit të vlefshmërisë së taksës së mjetit. Po kështu, kryhet identifikim në terren përmes sistemit të monitorimit dhe ndalohet ofrimi i shërbimit për mjetet të cilat rezultojnë debitore.
Përfitimet vijnë gjithnjë të shoqëruara me përgjegjësi – ashtu si edhe roli i DPSHTRR-së si agjent tatimor, thuhet në njoftim.
DPSHTRR rikujton të gjithë debitorët që, mjetet debitore nuk marrin shërbimet në vijim: ndryshim pronësie; ndryshim targash (në rast dëmtimi apo humbje); kontroll fizik (certifikim i xhamave të errësuar); leje Qarkullimi kombëtare dhe ndërkombëtare; kontroll teknik; çregjistrim mjeti; certifikata ADR dhe CEMT; konfirmime të ndryshme që kanë të bëjnë me mjetin.
Gjithashtu, për çdo vonesë në pagesën e taksave vjetore, ka edhe kamatë vonesa. Taksat e mjeteve të përdorura ose atyre luksoze nuk u përfshijnë as në faljen që u miratua dy ditë përpara zgjedhjeve të majit, kështu që janë detyrimet që duhen paguar nga qytetarët ose nga subjektet. /ekofin.al
