Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zgjeruar kategoritë e çështjeve që mund të trajtohen me procedurë të përshpejtuar në gjykatat e apelit, në një kohë kur vetë sistemi i apelimit po përballet me një stok të lartë dosjesh të pashqyrtuara dhe vonesa të konsiderueshme në gjykim.
Vendimi i KLGJ-së, i publikuar në Fletoren Zyrtare, vendos në listën e çështjeve prioritare ato që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve, kontratat konsumatore dhe paditë kolektive për mbrojtjen e konsumatorit, si edhe çështjet për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.
Ndryshimet bëhen në vendimin nr. 78 të vitit 2019, “Për kalendarin e shqyrtimit të çështjeve në gjykatën e apelit”, i cili përcakton rastet kur një çështje mund të marrë përparësi për shkak se vonesa në shqyrtim mund të sjellë pasoja të rënda për palët dhe për administrimin e drejtësisë.
Deri tani, lista përfshinte kryesisht çështje familjare dhe sociale, si të drejtat e fëmijëve, kujdestaria, detyrimet për ushqim, zgjidhja e martesës, birësimi apo çështje që lidhen me pensionet dhe marrëdhëniet e punës. Në listë përfshiheshin gjithashtu edhe disa kategori procedurale, si ankimet ndaj vendimeve jopërfundimtare, rivendosja në afat apo refuzimi i urdhrave të ekzekutimit.
Shtimi i çështjeve të pronës, konsumatorëve dhe mjedisit vjen ndërkohë që gjykatat e apelit vijojnë të përballen me mbingarkesë të lartë. Sipas të dhënave të raportuara nga sistemi gjyqësor dhe dokumenteve të KLGJ-së, vetëm Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka mbi 52 mijë çështje në pritje për shqyrtim.
Vetë raportet e analizës vjetore të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm evidentojnë se problematika e stokut të dosjeve lidhet me vakancat në trupën gjyqësore, efektet e procesit të vettingut dhe zbatimin e hartës së re gjyqësore. Në analizat e publikuara nga gjykata, pranohet se çështje të regjistruara që prej vitit 2017 vijojnë ende të mbeten në pritje për shkak të ngarkesës së lartë.
Po sipas raportit të KLGJ-së, në fillim të vitit 2025, Gjykata Administrative e Apelit ka hyrë me një stok të akumuluar prej 23,862 çështjesh në pritje, duke konfirmuar një prirje rritëse të backlog-ut që prej vitit 2021.
Në këtë kontekst, zgjerimi i kategorive që trajtohen me përparësi pritet të rrisë më tej presionin mbi gjykatat e apelit, pasi tashmë edhe konfliktet e pronësisë, paditë kolektive të konsumatorëve dhe çështjet mjedisore do të kenë mundësi të kërkojnë shqyrtim më të shpejtë se afati i zakonshëm. /ekofin.al


1 Comment
Pingback: KLGJ i jep prioritet çështjeve mjedisore dhe të klimës në Gjykatat e Apelit – Mjedisi Sot