Shtyhet afati i deklarimi të DIVA-s në 1 prill, për shkak të pushimit zyrtar të ditës së hënë.
Njoftimi është bërë nga Tatimet në rrjetet sociale. Dhe pikërisht fokusi i tatimeve këtë herë duket se do të jenë të ardhurat e blogerëve nga rrjetet sociale.
Tatimet paralajmërojnë se nga verifikime paraprake me bankat, rezultojnë rreth 33 milionë euro të ardhura nga individët për platformat META, Facebook, Youtube, Google etj. Këta individë kanë tashmë afatin e ri deri në 1 prill t’i deklarojnë këto të ardhura, pasi ndryshe, tatimet do nisin verifikimet dhe ata do të penalizohen për mosdeklarim ose fshehje të ardhurash sipas parashikimeve ligjore.
Janë rreth 144 mijë individë sipas Tatimeve që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave për vitin 2024 me ndryshimet ligjore, ndërsa deri më 27 mars kanë qenë rreth 87 mijë individë tashmë e kishin dorëzuar deklaratën e tyre.
Kush ka detyrim për të deklaruar DIVA?
Dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024 e kanë të gjithë ata individë rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:
- kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
- janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
- realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim,
DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Për herë të parë, gjithashtu, duhet të deklarohen edhe të ardhurat nga qiratë përmes platformave si Airbnb dhe Booking, çka pritet të rrisë numrin e individëve që do të raportojnë. /ekofin.al
