Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur procesin e rimbursimit për 34,263 individë përfitues, të cilët kanë deklaruar 1 ose 2 fëmijë në ngarkim në deklaratën vjetore të të ardhurave personale, DIVA 2025, dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar.
Sipas njoftimit zyrtar, pagesat do të kalojnë direkt në llogaritë bankare të deklaruara nga qytetarët përfitues, duke synuar një proces më të shpejtë dhe transparent të kthimit të detyrimeve.
Administrata tatimore thekson se ky proces bazohet në deklarimin korrekt të të ardhurave dhe në përfitimet fiskale që ligji parashikon për familjet me fëmijë në ngarkim. Sipas Tatimeve, lehtësia fiskale synon të mbështesë mirëqenien e familjeve dhe të lehtësojë barrën financiare për qytetarët.
Në njoftim thuhet gjithashtu se administrimi modern dhe efikas i sistemit tatimor mbetet prioritet, ndërsa procedurat e rimbursimit realizohen përmes platformës DIVA 2025.
“Deklaro saktë, përfito drejt”, është mesazhi që shoqëron fushatën informuese të Tatimeve, duke inkurajuar qytetarët të deklarojnë saktë të ardhurat për të përfituar nga skemat mbështetëse dhe rimbursimet që u takojnë. /ekofin.al

