Data 31 mars është afati i fundit për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024.
Administrata Tatimore rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024 kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë; janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit; realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim, se janë subjekt i dorëzimit të Deklaratës Individuale Vjetore (DIVA).
Gjithashtu DPT rikujton punëmarrësit të plotësojnë “Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.
Parashikohet që numri i deklaruesve të DIVA 2024 të jetë mbi 144 mijë individë, duke pasur parasysh që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, me uljen e kufirit nga 2 milion në 1.2 milion, numri i deklaruesve pritet të jetë shumë më i lartë se vitet e mëparshme.
Administrata Tatimore njofton se deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.
Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi, thuhet në njoftim. /ekofin.al
