Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
Në reagimin e OEK-ut, pezullimi i kësaj nisme, e cila ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, përbën një hap prapa për aspiratat ekonomike dhe diplomatike të Republikës së Kosovës.
Në komunikatë thuhet se kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se përmirësimi i imazhit të Kosovës si destinacion i sigurt dhe i përshtatshëm për investime duhet të jetë prioritet kombëtar.
Ai nënvizoi se mungesa e investimeve të huaja, së bashku me rënien e investimeve nga diaspora, po krijon një situatë tejet sfiduese për ekonominë e vendit, e cila tashmë po përballet me vështirësi të shumta.
Rafuna gjithashtu theksoi se liberalizimi i tregut të energjisë ka sjellë barriera shtesë për bizneset dhe për ekonominë në përgjithësi
Oda Ekonomike e Kosovës apelon për gjetjen sa më të shpejtë të një rruge për rikthimin e Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe thekson nevojën urgjente për konsolidimin e politikave ekonomike, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve të huaj dhe të krijohen kushte të qëndrueshme për zhvillim ekonomik.
Pas vendimit ka reaguar edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) e cila ka pranuar me shqetësim të thellë lajmin për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.
DHTIK nëpërmjet një reagimi, vlerëson se ky proces ishte konceptuar si një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në vendin tonë.
“Për ne, marrëdhëniet e fuqishme dhe të qëndrueshme me SHBA-në janë jetike, pasi SHBA ka qenë gjithmonë partneri ynë më i madh strategjik dhe ka dhënë mbështetje vendimtare për ndërtimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës”, thuhet në reagimin e DHTIK.
Po ashtu DhTIK vlerëson se çdo veprim apo deklaratë që rrezikon prishjen e këtij raporti është në dëm të interesave të qytetarëve dhe të ardhmes ekonomike të Kosovës.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka qenë e para që ka kërkuar nga qeveria që me urgjencë të heq taksën ndaj prodhimeve amerikane, por hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi ishin të vonshëm dhe pa ndonjë efekt pozitiv”, thuhet në reagimin e DHTIK.
Në fund të reagimit thuhet se bizneset e Kosovës kanë nevojë për stabilitet politik, siguri juridike dhe partneritete ndërkombëtare për të ecur përpara.
Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.
Në njoftimin e Ambasadës në Facebook thuhet se kjo për shkak të veprimeve të qeverisë së Kosovës.
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pa afat dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve për veprimet e qeverisë në detyrë që kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar produktivisht me Kosovën në prioritetet e përbashkëta”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada tha të premten se SHBA mbetet e përkushtuar në avancimin e interesave të përbashkëta.
