Dhoma ekonomike e Gruas ka zhvilluar një anketë me 90 gra sipërmarrëse për pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19. Nga gjetjet e anketimit rezulton se 30% e sipërmarrjeve ulën numrin e të punësuarve. Sipas Dhomës Ekonomike të Gruas përballja me pandeminë ishte e fortë për sipërmarrëset e reja.
“Anketa e kryer dy muajt e fundit me 80 gra sipërmarrëse vë në dukje se 30% e tyre ulën numrin e të punësuarve nga 10-70%, krahasuar me një vit më parë. Flasim për një kategori sipërmarrjesh që kishte siguruar qëndrueshmëri më parë, pasi rreth 70% e tyre, raportojnë të kenë mbi 5 vite në treg dhe 37% e totalit të të anketuarve kanë mbi 10 vjet. Gjatë vitit të kaluar gati 36% e sipërmarrjeve të drejtuara nga gratë ulën aktivitetin, por theksuan se nuk pushuan punonjës nga puna. Ndërsa vetëm 8% vazhduan normalisht si më parë”, thuhet në njoftimin e Dhomës Ekonomike të Gruas.
Nga ana tjetër në kulmin e pandemisë në vitin e kaluar 7% e grave mbyllën aktivitetin. Pasiguria vijon të jetë shqetësimi kryesor i 37 % të të anketuara, ndjekur nga ulja e kërkesës dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Zhvillimi pozitiv i kësaj periudhe ishte aktiviteti online i kompanive, thuhet në njoftim. 53% e tyre thonë se kanë shënuar zhvillime pozitive në sipërmarrje pikërisht për shkak të periudhës transitore dhe fokusit në shitje online. Kjo mundësoi ulje të kostove operative për shumë kompani.