Detyrimet e ndërsjella midis sektorit energjitik dhe enteve të tjera publike kanë shënuar rritje të mëtejshme në muajt e parë të vitit 2025.
Nga ana e ndërmarrjeve të sektorit energjetik raportohet se një pjesë e këtyre detyrimeve janë shlyer sipas planit të masave, ndërsa një pjesë tjetër mbetet ende për t’u likuiduar për shkak të sfidave të trashëguara në likuiditet.
Pavarësisht kësaj, shoqëritë kanë ruajtur rezultate pozitive në operim dhe kanë konfirmuar vullnetin për të vijuar angazhimin në përmbushjen graduale të marrëveshjeve për likuidimin e stokut të detyrimeve të ndërsjella. Ndikim në vonesat e shlyerjes ka vijuar të ketë edhe ritmi i ulët i pagesave nga ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, thuhet në raportin e Ministrisë së Financave.
Vërehet se totali i detyrimeve të prapambetura të ndërsjella deri në fund të muajit Maj 2025, rezulton në një shumë totale progresive 172.47 miliardë lekë, me një rritje prej 1.23 miliardë lekë krahasuar me vitin 2024.
Më konkretisht: totali i detyrimeve të ndërsjella që KESH sh.a ka deri në fund të muajit Maj 2025 ndaj palëve të treta rezulton në 40.62mld lekë ose 1.2% më i lartë krahasuar me vitin 2024 që shënonte vlerën 40.15 mld lekë;
Sa i përket totalit të detyrimeve të ndërsjella që OST sh.a ka deri në fund të muajit Maj 2025 ndaj palëve të treta rezulton 19.07mld lekë, 1.9% më i ulët krahasuar me 2024, i cili ishte në masën 19.43 mld lekë.
Gjithashtu, totali i detyrimeve të ndërsjella që OSHEE Group sh.a ka deri në fund të muajit Maj 2025 ndaj palëve të treta rezulton 62.43 mld lekë, 0.1% më i lartë krahasuar me 2024 kur ishte 62.37 mld lekë.
Ndërsa totali i detyrimeve të ndërsjella që ndërmarrjet ujësjellës-kanalizimeve kanë deri në fund të muajit Maj 2025 ndaj palëve të treta rezulton 44.14 mld lekë, ose 2.2% më i lartë krahasuar me 12-mujorin e vitit 2024, në të cilin shënonte 43.20 mld lekë.
Sipas raportit, totali i detyrimeve të ndërsjella që Ministritë e Linjës dhe institucionet buxhetore kanë ndaj palëve të treta deri në fund të muajit Maj 2025, rezulton 6.2 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me detyrimet e ndërsjella deri në fund të vitit 2024./ekofin.al

