Punonjësi i Policisë së Shtetit, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës, përfiton kompensim të menjëhershëm financiar deri në 1 milion lekë, sipas akteve të vlerësimit të dëmit.
Këshilli i Ministrave miratoi kriteret dhe procedurat për kompensimin e menjëhershëm financiar, në rast të dëmtimit të rëndë të pronës, për shkak të detyrës.
Sipas këtij vendimi, punonjësi i policisë e përfiton kompensimin e menjëhershëm financiar kur:
a) prona i është dëmtuar si pasojë e një vepre penale, e kryer në dëm të tij për shkak të detyrës, dhe rasti është referuar në prokurori, ose prona i është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit të saj nga punonjësi i policisë për përmbushjen e detyrave zyrtare;
b) punonjësi i policisë disponon dokument, që vërteton titullin e pronësisë/bashkëpronësisë mbi pronën e dëmtuar, ose provon që këtë pronë e ka në proces legalizimi;
c) nuk ka përfituar dëmshpërblim nga një shoqëri sigurimi për dëmtimin e pronës.
Për zbatimin e këtij vendimi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ngre komisionin, i cili përbëhet nga 5 anëtarë.
Komisioni kryen vlerësimin e përputhshmërisë së dokumentacionit të paraqitur me kriteret për përfitimin e kompensimit të menjëhershëm financiar, brenda 10 ditëve punë nga paraqitja e kërkesës së punonjësit të policisë.
Pagesa për kompensim të menjëhershëm financiar për dëmin e shkaktuar bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në rast se komisioni vendos për refuzimin e dhënies së kompensimit të menjëhershëm financiar, punonjësi ka të drejtë të ankimojë vendimin e komisionit pranë drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Policisë së Shtetit.

