Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin për “Marrëveshjen e paqes fiskale” për vitin 2025, i cili krijon një regjim vullnetar ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës tatimore, me qëllim rritjen e përmbushjes vullnetare dhe “qetësimin” e marrëdhënies me biznesin, në këmbim të kufizimit të kontrolleve tatimore.
Projektligji parashikon që tatimpaguesit, persona fizikë ose entitete, të regjistruar në QKB, që i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat e korporatave ose tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, sipas ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, mund të lidhin një marrëveshje vjetore me administratën tatimore, me të drejtë rinovimi deri në 2 vite të tjera. Nga kjo skemë përjashtohen ata që përfitojnë norma të reduktuara ose përjashtime sipas nenit 69 të ligjit nr. 29/2023.
Thelbi i marrëveshjes së paqes fiskale është vlerësimi i paracaktuar i fitimit të tatueshëm: fitimi i vitit të mëparshëm do të konsiderohet i rritur me 18%, dhe mbi këtë bazë do të llogaritet tatimi, sipas normës standarde të tatimit mbi të ardhurat. Për çdo fitim të tatueshëm që tejkalon rritjen 18%, projektligji vendos një normë të veçantë 5%. Administrata tatimore, mbi bazën e kësaj formule, përgatit dhe i propozon biznesit vlerën e paracaktuar të fitimit të tatueshëm, mbi të cilën llogaritet detyrimi gjatë vitit të marrëveshjes. Marrëveshja prek vetëm tatimin mbi të ardhurat e korporatave ose të ardhurat personale nga biznesi dhe nuk ndryshon detyrimet e tjera tatimore.
Një element kyç i projektligjit është e drejta për rideklarimin e pasqyrave financiare deri në 3 vitet tatimore të mëparshme. Tatimpaguesi mund të rideklarojë elemente të aktiveve, detyrimeve dhe kapitalit të vet, duke korrigjuar cash-in, aktivet financiare, inventarët, asetet afatgjata materiale/jomateriale, detyrimet fiktive dhe fitimin e mbartur.
Për diferenca deri në 30%, të cilat japin efekt neto në rritje të të ardhurave apo kapitalit, aplikohen këto norma tatimi: 5% mbi devijancat (pozitive ose negative) të gjendjes reale të cash-it; 5% për fshirjen e kërkesave dhe detyrimeve fiktive; 5% për fshirjen apo deklarimin e aktiveve afatgjata materiale/jomateriale fiktive ose të padeklaruara; 5% mbi fitimin e mbartur kur shpërndahet si dividend apo fitim.
Diferencat klasifikohen, sipas kuadrit kontabël, si të ardhura të patatueshme ose shpenzime të pazbritshme, nuk krijojnë të drejtë për të rritur shpenzimet apo për të ulur fitimin tatimor dhe as TVSH-në e pagueshme në periudhat e kaluara, aktuale apo të ardhshme. Njëkohësisht, për këto rideklarime nuk aplikohen gjoba administrative sipas ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore”, dhe nuk ushtrohen kontrolle tatimore. Audituesit ligjorë që kanë certifikuar pasqyrat para rideklarimit përjashtohen nga përgjegjësia për diferencat që krijohen vetëm si rezultat i këtij procesi.
Projektligji kufizon edhe rrethin e tatimpaguesve që mund të përfitojnë. Për të hyrë në marrëveshje, subjekti duhet të jetë i regjistruar në regjistrin tatimor dhe të ushtrojë veprimtari në Shqipëri; të mos ketë detyrime tatimore të papaguara apo të padeklaruara; të mos jetë në ankim administrativ; të mos jetë nën procedim penal për vepra tatimore; të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për mashtrim tatimor, pastrim parash apo fshehje të ardhurash; të mos jetë subjekt hetimi nga administrata tatimore; të mos realizojë projekte koncesionare.
Nga ana tjetër, gjatë vlefshmërisë së marrëveshjes, për tatimin mbi të ardhurat e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat nga biznesi nuk kryhen kontrolle tatimore në terren, përveç rasteve kur ka çështje hetimore për skema mashtruese me TVSH ose fshehje të ardhurash, sipas Kodit Penal. Tatimpaguesit do t’i nënshtrohen vetëm monitorimit nga zyra, bazuar në ligjin nr. 9920.
Projektligji parashikon edhe rastet kur marrëveshja humb vlefshmërinë: ndryshimi i veprimtarisë, mosrealizimi i rritjes mbi 18% të fitimit, pezullimi ose ndërprerja e aktivitetit, shkelje të përsëritura që cenojnë “ndershmërinë fiskale”, mospagimi i detyrimeve, mosplotësimi i kushteve dhe, veçanërisht, rasti kur fitimi i tatueshëm gjatë vitit të marrëveshjes rritet mbi 50% krahasuar me vitin paraardhës. Në këto raste, administrata tatimore merr të drejtën të kryejë kontroll dhe të rivlerësojë detyrimet sipas normave të plota të ligjit nr. 29/2023.
Procedurat e detajuara të zbatimit, sipas projektligjit, do të përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat, ndërsa marrëveshja e paqes fiskale prezantohet si një instrument njëvjeçar, me mundësi rinovimi deri në 2 vite, që kombinon sigurinë tatimore për biznesin me garancinë e të ardhurave të paracaktuara për buxhetin e shtetit./ekofin.al
