Ministria e Financave ka rihapur thirrjen për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, për këstin e katërt. Përmes publikimit të listës së përfituesve, MF thekson se që nga data 4 prill, kur është publikuar njoftimi, të interesuarit kanë një afat prej 3 muajsh për të plotësuar dosjet e tyre me dokumentat që mungojnë, në mënyrë që të përfitojnë këstet e pagesave.
Sipas Financave, përfituesit duhet të depozitojnë dokumentacionin e kërkuar në një nga pikat e shërbimit postar të çdo rrethi ku ata jetojnë, me adresën “Ministria e Financave, Drejtoria e Pagesave dhe Dëmshpërblimeve”.
Referuar akteve ligjore dhe nënligjore, dokumentacioni që duhet të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave nga trashëgimtarët e ish të dënuarve politikë janë si më poshtë vijon:
- Dëshmi trashëgimie për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njehsuar me origjinalin;
- Certifikatë vdekje e të dënuarit;
- Certifikatë trungu familjar e të dënuarit ku të figurojnë trashëgimtarët;
- Vërtetim të llogarisë bankare të përditësuar, të hapur në një nga bankat e nivelit të dytë që operon në territorin e Republikës së Shqipërisë në monedhën Lek për çdo përfitues ose prokure e posaçme origjinale ose e njehsuar me origjinalin, në të cilën të specifikohet tërheqja e shumës së dëmshpërblimit financiar nga personi i autorizuar.
- Prokura e hartuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duhet të jetë e përkthyer dhe me vulë Apostile.
Vërtetimi i llogarisë bankare duhet të jetë i periudhës pas publikimit të shqyrtimit juridik në faqen zyrtare dhe të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitihet kësti i dëmshpërblimit financiar, të jetë ende aktiv.
- Dokument identiteti (kopje ID, Pasaporte) të çdo trashëgimtari ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e shumës së dëmshpërblimit.
- Kur trashëgimtarët e revokojnë delegimin e bërë me prokurë, dokumentacioni që duhet të dërhgojnë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë janë:
– Revokimi i prokurës, origjinale ose kopje e njehsuar me origjinalin;
– Vërtetimi i llogarisë bankare të përditësuar, të hapur në një nga bankat e nivelit të dytë që operon në territorin e Republikës së Shqipërisë në monedhën Lek për trashëgimtarin;
– Dokument identiteti (kopje ID, Pasaporte) të trashëgimtarit.
Në qoftë se një ose disa nga trashëgimtarët e rradhës së parë nuk jetojnë më, atëherë familjarët/ trashëgimtarët e tij/saj, duhet të depozitojë dokumentacionin e mëposhtëm:
- Dëshmi trashëgimie për çdo trashëgimtar të rradhës së parë që nuk jeton më, origjinale ose kopje e njehsuar me origjinalin;
- Certifikatë vdekje origjinal për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më.
- Certifikatë të trungut familjar origjinal të çdo trashëgimtari të rradhës së pare që nuk jeton më.
- Vërtetim të llogarisë bankare të përditësuar, të hapur në një nga bankat e nivelit të dytë që operon në territorin e Republikës së Shqipërisë në monedhën Lek për çdo trashëgimtar të radhës së dytë që përfiton ose prokure e posaçme origjinale ose e njehsuar me origjinalin, në të cilën të specifikohet tërheqja e shumës së dëmshpërblimit financiar nga personi i autorizuar. Prokura e hartuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë duhet të jetë e përkthyer dhe me vulë Apostile.
- Vërtetimi i llogarisë bankare duhet të jetë i periudhës pas publikimit të shqyrtimit juridik në faqen zyrtare dhe të sigurohen që llogaria bankare, në të cilën do të depozitihet kësti i dëmshpërblimit financiar, të jetë ende aktiv.
- Dokument identiteti (kopje ID, Pasaporte) të çdo trashëgimtari të radhës së dytë, që i lind e drejta për dëmshpërblim ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e shumës së dëmshpërblimit.
Financat sqarojnë se me “familjarë” nënkuptohen paraardhësit, bashkëshortja, pasardhësit, vëllezërit dhe motrat e ish të dënuarit politik, si dhe fëmija/fëmijët e vëllezërve dhe motrave. Familjarët, në shkallë më të parë, sipas Kodit Civil, përjashtojnë familjarët e tjerë. Gjithashtu, në qoftë se njëri ose disa trashëgimtarë të rradhës së dytë nuk jetojnë më, e drejta e tyre për dëmshpërblim nuk vazhdon më tej. Në këtë rast, llogaritja e pjesës takuese të këstit bëhet mbi bazën e trashëgimtarëve që jetojnë. Nga ana e trashëgimtarëve që jetojnë ose nga familjarë, duhet të paraqesin çertifikatën e vdekjes së trashëgimtarit që nuk jeton, të cilën e postojnë përmes shërbimit postar në adresën e sipërcituar, së bashku me numrin e dosjes. /ekofin.al
