Dëmi mesatar i paguar nga kompanitë e sigurimit për TPL-në e brendshme është rritur ndjeshëm gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, duke arritur në rreth 175.5 mijë lekë për dëm, nga rreth 162 mijë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se dëmi mesatar në sigurimin e detyrueshëm motorik TPL u rrit me 8.34% në raport me janar-gushtin 2025. Kjo do të thotë se, mesatarisht, kompanitë kanë paguar rreth 13.5 mijë lekë më shumë për çdo dëm të trajtuar në këtë kategori sigurimi.
Rritja e TPL-së bie në sy edhe për faktin se kategoritë e tjera të sigurimit motorik kanë regjistruar ulje të dëmit mesatar. Për sigurimin Kasko, dëmi mesatar zbriti nga 120.5 mijë në 103.2 mijë lekë, ose me 14.32%. Për Kartonin Jeshil ai ra nga 585.9 mijë në 547 mijë lekë, me 6.63%, ndërsa te sigurimi kufitar rënia ishte edhe më e fortë, me 23.13%, nga 250.2 mijë në 192.4 mijë lekë.
Në total, dëmi mesatar në sigurimin motorik arriti në 170.4 mijë lekë, nga 169.2 mijë lekë një vit më parë, duke shënuar një rritje relativisht të lehtë prej 0.74%.
Por rritja nuk kufizohet vetëm te vlera mesatare e një dëmi. Kompanitë e sigurimit paguan gjatë periudhës janar-gusht 2026 rreth 3.36 miliardë lekë dëme bruto vetëm për TPL-në e brendshme, nga 2.98 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Vlera e dëmeve të paguara për këtë kategori është rritur me 12.94%, ose me rreth 385 milionë lekë më shumë brenda një viti.
TPL-ja përbën pjesën më të madhe të faturës së dëmeve në sigurimet motorike. Në të gjithë sigurimin motorik, kompanitë paguan në tetë muaj 4.55 miliardë lekë, kundrejt 4.20 miliardë lekëve në janar-gusht 2025. Rritja vjetore ishte 8.35%, që përkthehet në rreth 350 milionë lekë më shumë të paguara për dëme.
Sipas përllogaritjeve mbi të dhënat e AMF-së, TPL-ja e brendshme përfaqëson rreth 74% të të gjitha dëmeve të paguara në sigurimin motorik gjatë tetëmujorit. Kjo e bën ecurinë e kësaj kategorie përcaktuese për kostot e përgjithshme të dëmeve të tregut motorik. /ekofin.al
